Gjuhëtarët: Politika të mos merret me gjuhën!

Oct 25, 2011 | 13:20
Nga konferenca e djeshme e gjuhës

“Politika të mos vërë dorë mbi gjuhën!”. Kështu do të thoshte dekani i Fakultetit Histori-Filologji, Shezai Rrokaj, dje në një konferencë mbi gjuhën standarde dhe raportet e saj me dialektet. Në një kohë kur standardi dhe dialektet janë kthyer në mollë sherri edhe mes krerëve të lartë të shtetit, Fakulteti i Histori-Filologjisë, departamenti i Gjuhësisë organizoi dje një konferencë shkencore, ku gjuhëtarë nga Shqipëria, Kosova e më gjerë diskutuan mbi këtë çështje, e cila së fundi po merr përmasa edhe më të mëdha. Për të treguar seriozitetin e ngjarjes, në hapjen e konferencës ishin të pranishëm edhe zv/ministri i Arsimit dhe Shkencës, Halit Shamata, si dhe rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule. Sipas këtij të fundit, vetëm argumenti shkencor është ai që prevalon dhe se rrahja e mendimeve mes gjuhëtarëve nuk mund të sillte veçse një kontribut të rëndësishëm. Duke iu referuar një thënieje të nobelistit më të ri për letërsinë, Tomas Transtromer, se “Çështjet ngrenë zërin në gjuhën e tyre”, Halit Shamata theksoi rëndësinë e konferencës, e cila trajton një çështje me një ndjeshmëri të lartë publike. Ndërsa premtoi mbështetjen e mëtejshme të MASH-it në fushën e kërkimit shkencor. Sipas dekanit të fakultetit Shezai Rrokaj, kombit tonë i kanë ndodhur ngjarje të mëdha, një ndër të cilat edhe rënia e perdes së hekurt që ndante artificialisht shqiptarët në pesë shtete. Tashmë shqiptarët mund të lëvizin lirshëm e të komunikojnë me njëri-tjetrin, çka ka gjetur reflektimin e vet edhe në gjuhë. Ai e quajti një rast që duhet shfrytëzuar nga gjuhëtarët për të hulumtuar fenomenet që kanë ndodhur sidomos 20 viteve të fundit. Sipas tij, debati për gjuhën standarde dhe rolin e dialekteve në të ka nisur qysh me Kongresin e Drejtshkrimit. Gjithnjë janë ngritur pyetjet mbi atë që është bërë mirë e atë çka është bërë gabim. Duke iu referuar eksperiencave të tjera, Rrokaj u shpreh se mbështetja e standardit mbi një dialekt është e përligjur. Sipas tij, vendosja e standardit i ka dhënë frytet e veta, edhe pse ka shumë për të bërë. “Ndonjë tezë për një neostandard është e gabuar”, tha Rrokaj. Sipas tij, dialektet janë si një “burim i freskët” për pasurimin e gjuhës standarde dhe se duhen bërë rishikime aty-këtu. “Standardi duhet të pranojë natyrshëm prurje nga e gjithë gjuha, në veçanti nga viset jashtë vendit, me qëllim që të arrihet në një kohezion më të lartë gjuhësor dhe shpirtëror mes shqiptarësh”, u shpreh Rrokaj. Siç do të thoshte prof. Gjovalin Shkurtaj, gjuha është si një det, ku derdhen lumenj e përrenj.
Problemi i paskajores
Kur vjen puna tek standardi dhe pasurimin e tij nga dialekti gegë, një nga kërkesat e gjuhëtarëve është përfshirja e paskajores gege (me punue). Në konferencën e gjuhëtarëve të zhvilluar në dhjetor të vitit të shkuar në Durrës, pjesëmarrësit dolën me disa përfundime, të cilat shtronin disa çështje për shqyrtim. Një ndër to ishte edhe ai i paskajores. Pikërisht në këtë çështje u ndalën edhe disa nga të pranishmit. “Paskajorja prish standardin dhe hap punën për krijimin e një standardi të ri me mbështetje në standardin gegë”, tha Rrokaj, duke shtuar se përfshirja e paskajores dhe ndryshimi i standardit kah gegërishtja, gjithsesi nuk e bën standardin gjithëpërfshirës, por të njëanshëm. Sipas tij, ky proces do të sillte ndryshimin e kohëve të përbëra, të formave të pashtjelluara, të emrave prejfoljorë, zhdukjen e disa grupe bashkëtingëlloresh etj. Ndër të tjera, sipas Rrokajt, do të cenonte dhe vetë gegërishten, e cila do të transformohej e nuk do të kishte më veçantitë e saj karakteristike. Rrokaj u shpreh se shqiptarët nuk mund të kenë dy standarde dhe është e pamundur të niset çdo gjë nga e para. I pyetur nga gazetarët për ndikimin e politikës në gjuhë, ai u shpreh se politikanët duhet t’ia lënë në dorë këtë çështje gjuhëtarëve. Sipas tij, një standard i ri do të kishte kosto të jashtëzakonshme. I këtij mendimi është edhe akademikja kosovare Shefkie Islamaj. Sipas saj “Nuk është në interesin e shqiptarëve të kenë dy standarde”. Duke iu referuar pretendimit të kahershëm se standardi përjashtoi gegërishten, ajo u shpreh se kjo nuk ishte e mundur. Sipas saj, fjalorin e një gjuhe nuk mund ta kufizojnë gjuhëtarët, por janë folësit, përdoruesit e saj, që e pasurojnë atë vazhdimisht. Islamaj u shpreh se është e pamundur që një fjalor të përfshijë gjithë zhvillimet e një gjuhe dhe se, parë në këtë këndvështrim, jashtë tij kanë mbetur edhe fjalë të gegërishtes e të toskërishtes, edhe gjuha e Fishtës dhe e Poradecit. “Ajo çka duhet të na shqetësojë, është përballja e shqipes me gjuhët e tjera. A do mund t’i qëndrojë ajo hapjes së kulturave, trysnive që vijnë nga jashtë? Ajo do të mund t’i bëjë ballë vetëm me ndihmën që mund t’i japim ne gjuhëtarët”, tha ajo.

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura