Gjobëvënia 100 mijë euro, Fatos Skeja mohon akuzën në Gjykatë

Dec 27, 2013 | 12:04

Fatos Skeja, dje në Gjykatë
TIRANE – Gjykata për Krimet e Rënda caktoi dje masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-oficerin e Gardës, Fatos Skeja. Ai akuzohet për një gjobëvënie 100 mijë dollarë ndaj një biznesmeni, ngjarje e ndodhur në gusht të këtij viti. Të njëjtën masë sigurie gjykata vendosi edhe ndaj të dyshuarit Gojart Loci, i dyshuar si bashkëpunëtor i Skejës. Gjatë seancave të verifikimit të masës së sigurisë, dy të dyshuarit kanë mohuar akuzën dhe çdo fakt që i lidh ata me ngjarjen. Nga ana tjetër, prokuroria ka pretenduar se ka prova të mjaftueshme për të kundërtën. Sipas Prokurorisë, në automjetin që ka qenë në vendin e ngjarjes, janë gjetur një gjurmë pëllëmbe dhe një fije floku, që pas ekspertimit daktiloskopik dhe analizës së ADN ka rezultuar se i përkasin të dyshuarit Loci. Fatos Skeja dhe Gojart Loci u arrestuan dy ditë më parë, në zbatim të një vendimi “arrest me burg” të Krimeve të Rënda, caktuar ndaj tyre në mungesë. Hetimi ndaj tyre nisi në shtator, pas dyshimeve se ata ndodheshin të pranishëm në të njëjtin vend në zonën e Dajtit, ku biznesmenit të kërcënuar i ishte kërkuar të dorëzonte një gjobë prej 30 mijë dollarësh.

SEANCA
I pari që u shfaq dje para gjyqtares Etleva Deda, ishte ish-gardisti Skeja. Për shkak të pranisë së kamerave në sallën e gjyqit, ai mbuloi fytyrën me dorën e djathtë. Kjo zgjati vetëm pak çaste, për shkak se gjykata pranoi kërkesën e prokurorit, për një seancë me dyer të mbyllura. Pas boshatisjes së sallës nga të pranishmit, prokurori ka paraqitur akt-akuzën për të akuzuarin Skeja. Në përfundim, prokurori ka kërkuar lënien të pandryshuar të masës së sigurisë “arrest me burg” për Skejën për akuzën e “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Burime të Gjykatës bënë me dije se i akuzuari e ka mohuar këtë akuzë. Përmes avokatit të tij, Mark Pëllumbi, i dyshuari Skeja ka pretenduar se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen, kjo edhe për faktin se biznesmeni i kërcënuar ishte një i afërm i tij. Në seancën pasardhëse, të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe i akuzuari Loçi. Ai ka hedhur poshtë akuzën e ngritur ndaj tij, duke pretenduar se nuk ka lidhje me ngjarjen. Në përfundim të dy seancave, gjykata ka vendosur lënien të pandryshuar të masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj tyre. ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura