Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pasi Gjykata e Posaçme dhe SPAK hodhën poshtë pretendimet për fyerjen me fjalën “ndyrësirë” gjatë seancës, nga prokurori i çështjes Ols Dado.

Veliaj shprehet duke thënë se “në atë sallë gjyqi unë jam fyer, sulmuar e kërcënuar nga prokurori im, Olsi Dado, me fjalë të cilat janë të regjistruara dhe padyshim mund të bëhen transparente për publikun”.
Ai gjithashtu ka ftuar gjykatën të publikojë audion e asaj seance në mënyrë që qytetarët ta vendosin vetë se kush ka të drejtë.
Reagimi i Erion Veliajt:
Mirëmbrëma,
Siç e dini, prej dy javësh unë ndodhem i mbyllur në qeli pa gjyq dhe i dënuar që në faqen e parë të një dosjeje, të cilën po e faktoj çdo ditë se është një montim i shëmtuar dhe farsë e rrezikshme.
Por, gjithashtu, ndodhem në kushte të pabarabarta për të thënë të vërtetën time, atë të vërtetë të cilën do ta mbroj deri në fund dhe do të vazhdoj ta them së paku këtu, në rrjetet e mia sociale, si e vetmja mënyrë për të komunikuar me qytetarët e Tiranës dhe gjithë publikun.
Po! E them dhe e përsëris, në atë sallë gjyqi unë jam fyer, sulmuar e kërcënuar nga prokurori im, Olsi Dado, me fjalë të cilat janë të regjistruara dhe padyshim mund të bëhen transparente për publikun. Ajo seancë ishte një kasaphanë e përgatitur për të më “vrarë” politikisht dhe kam dëgjuar lloj-lloj epitetesh, që nga “gënjeshtar”, “je patologjik” e deri te fjalia “e di se ku shkon, ky merret me mua ky …ndyrësirë”.
Për të qenë të vërtetë deri në fund, ftoj gjykatën të publikojë audion e asaj seance të shëmtuar dhe pastaj qytetarët ta vendosin vetë se kush ka të drejtë.
Ama, unë do të vijoj të çmontoj atë dosje të stisur kundër meje çdo ditë, pak nga pak, siç kam bërë deri më sot.
Pretendimet e Erion Veliajt
Kryebashkiaku Veliaj ka publikuar ditën e sotme (24 Shkurt) një pjesë të përplasjeve me prokurorin Ols Dado, që sipas tij, kanë ndodhur në sallën e gjyqit më datë 12 shkurt, kur u vendos konfirmimi i “arrestimit me burg”.
Nga transkriptimi që është publikuar nga Erion Veliaj, vihen re tonet e larta që kanë shoqëruar seancën në GJKKO.

Ne mesazhin e tij Veliaj shkruan: “Ky është një nga dialogjet në thertoren e Erion Kasapit! Lexojeni se me çfarë gjuhe flet prokurori i SPAK-ut, aq të ulët sa edhe Erion Kasapi duket xhentëllmen para tij!
Kjo gjuhë dhe atmosferë, sikur Sigurimsat janë kthyer nga penxherja, pasi i nxorrëm nga dera, nuk duhet toleruar më”.
Materiali i publikuar nga Erion Veliaj:

REAGIMI I GJKKO
GJKKO thekson se transkripti i publikuar nga ana e Erion Veliaj në rrjetin e tij social në “Facebook” nuk është i vërtetë.
Gjykata e Posaçme shprehet se është bërë verifikimi në sistemin audio të seancës gjyqësore për marrjen në pyetje të kryebashkiakut të Tiranës, si edhe procesverbali i seancës gjyqësore.
Por, thekson se nga ana e prokurorit të çështjes nuk rezulton që të jetë përdorur fjala “ndyrësirë” në asnjë moment.
“Nisur nga interesimi i lartë dhe i vazhdueshëm nga ana juaj, duke paraqitur dhe kërkesa për informacion, në bazë të ligjit Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i ndryshuar, në lidhje me vërtetësinë e pjesës së procesverbalit të seancës gjyqësore, të datës 12.02.2025, të publikuar ditën e sotme nga personi nën hetim Erion Veliaj, në rrjetin e tij social në “Facebook”, ju bëjmë me dije se nuk është i vërtetë.
Nga verifikimi i bërë në sistemin audio, të seancës gjyqësore për marrjen në pyetje të personave nën hetim Erion Veliaj, etj., të datës 12.02.2025, konkretisht intervali kohor 6:34:02 PM – 6:34:57 PM (të cilit i referohet i hetuari Erion Veliaj në postimin e tij) si dhe nga procesverbali i seancës gjyqësore, nuk rezulton që të jetë përdorur fjala “ndyrësirë” nga ana e prokurorit Ols Dado në asnjë moment”, shkruhet në reagimin e GJKKO-së.
REAGIMI I SPAK
SPAK ka publikuar dokumentet zyrtare të GJKKO-së dhe transkriptin e mbledhjes, teksa thekson se kjo seancë është dhe e regjistruar me audio dhe në asnjë rast nuk është përdorur termi fyes ndaj Erion Veliajt.
Në bisedën e publikuar nga SPAK, shihet teksa prokurori e cilëson si kërcënim publikimin e adresës së banesës së tij nga kryebashkiaku Veliaj.
“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ju informon si vijon: Procesverbali i seancës gjyqësore i datës 12.02.2025, në faqen 292, e numërtuar nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) dhe audio e kësaj seance nuk përfshijnë fjalët e përmendura nga personi nën hetim, E.V., të publikuara sot në media. Kjo mësipër është faqja 292 e procesverbalit të skanuar, e firmosur nga sekretarja e GJKKO-së”, thuhet ne reagimin e SPAK.

© Panorama.al











