Gjirokastër, të djathtët refuzojnë mbledhjen e lajmëruar nga kreu i qarkut

Oct 7, 2011 | 12:50

GJIROKASTER – Këshill-tarët e djathtë në Këshillin e Qarkut të Gjirokastrës refuzojnë të mblidhen në mbledhjen e radhës së lajmëruar nga kreu i ri i këtij këshilli, Sulo Muçobega. Sipas tyre, ai nuk ka të drejtë as të thërrasë e as të jetë këshilltar në Këshillin e Qarkut, pasi për demokratët ai është ilegal. Reagimi i këshilltarëve të djathtë ka ardhur fill pasi Muçobega, i zgjedhur në krye të Këshillit me votat e koalicionit të majtë, u ka dërguar një njoftim nga ku u kërkon prezencën në mbledhjen e radhës së këtij organi legjislativ që organizohet më 14 të këtij muaji. Kreu i PD-së për Gjirokastrën, njëkohësisht anëtar i këtij këshilli, si kryetar i Bashkisë së Libohovës, Altin Çomo, u shpreh mjaft i prerë se këshilltarët e djathtë nuk do t’i përgjigjen thirrjes së një kryetari, sipas tij ilegal, dhe aq më tepër kur ende vepron ilegalisht, derisa Gjyqësori të shprehet rreth kësaj çështjeje. “Kjo që po ndodh po leros dhe po e bën me turp Gjirokastrën. U bëj thirrje socialistëve që të reflektojnë dhe të mos i shkojnë pas një njeriu që medoemos e kërkon karrigen e kryetarit të qarkut. Çdokush tjetër mund të zgjidhet kryetar qarku, qoftë nga e majta apo nga e djathta, por kurrsesi Sulo Muçobega, i cili, ndonëse është kryetar i PS në Tepelenë, ka qenë dhe kryeinspektor në qarkun e Gjirokastrës për katër vjet”, u shpreh Çomo. Arsyeja, sipas tij, është principale ligjore, thjesht ka shkelur me të dyja këmbët pavarësinë e pushtetit lokal dhe në kundërshtim të plotë me detyrën dhe funksionin që gëzon momentalisht. Demo-kratët kanë premtuar betejë gjyqësore deri në momentin kur socialistët të reflektojnë vetë dhe të heqin nga posti i kryetarit Muçobegën, i cili nuk duhet të jetë madje as këshilltar qarku. Besohet se në mbledhjen kur nuk do të jenë të pranishëm gati gjysma e anëtarëve të Këshillit, ata do të miratojnë sërish vendimet e mbledhjes së kaluar. Ndërkaq, nuk dihet cili do të jetë qëndrimi i PBDNJ-së, pasi në këtë këshill ata përfaqësohen me katër këshilltarë, të cilët janë edhe vota vendimtare për njërin ose tjetër krah. Sulo Muçobega u zgjodh në mbledhjen e para një muaji me 23 vota pro dhe 21 kundër, duke pasur përballë kandidatin e Aleancës për Qytetarin.                              p.n

© Panorama.al

Te lidhura