Gjirokastër, sekuestrohen 18 kg marijuanë

Oct 9, 2011 | 16:35
Foto nga marijuana dhe makina e sekuestruar

GJIROKASTER- Policia Kufitare sërish kap marijuanë në tentativë për t’u kaluar drejt Greqisë. Rreth 18 kg kanabis është kapur në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës në tentativë për t’u kaluar nga vija e gjelbër kufitare, e bashkë me të edhe poseduesi i saj ndërkohë që drejtuesi i mjetit ku ndodhej marijuana, është arratisur.

Burimet policore, kanë bërë të ditur për gazetën “Panorama” se ishin në dijeni të ngarkesës së një mjeti me mallin narkotik i cili kishte marrë drejtimin për në fshatin Llongo, fare pranë kufirit me Greqinë. Drejtuesi i mjetit Renault Clio me targa Tr 27 84 M, nisur nga situata e krijuar dhe motit të keq, ka shkelur vrullshëm pedanën e gazit dhe u largua me shpejtësi madje duke rrezikuar edhe jetën e policëve të gjendur aty pranë. Pas kësaj, uniformat blu vijuan ndjekjen dhe pas disa minutave, autmojeti nga shpejtësia e madhe, doli nga rruga dhe ra në një kanal në aksin rrugor Vrisera-Llongo në vendin e quajtur Çeçem. Drejtuesi i mjetit, është larguar duke braktisur automjetin dhe marijuanën.

Grupi hetimor i mbërritur në vendngjarje, ka konstatuar një cantë të madhe shpine me 15 pako marijuanë të presuar me mbështjellje të tejdukshme plastmasi. Jo të gjitha pakot me marijuanë kishin peshë të njëjtë por në total, ato shkonin në 18 kg.

Policia ka arrestuar në flagrancë 24 vjecarin Vilson Kalemaj nga fshati “Arshi Lengo” në rrethin e Gjirokastrës dhe njëkohësisht është shpallur në kërkim drejtuesi i mjetit Armando Azazaj 24 bashkëfshatar i Kalemajt.

Piro Nase

© Panorama.al

Te lidhura