
GJIROKASTER – Prishja dhe dalja jashtë kontrollit e sistemit informatik në pjesën greke të Kakavijës ka sjellë një situatë të paduruar për udhëtarët që kërkonin të kalonin në të dy anët e kufirit. Ka qenë ora 02:00 e së martës, kur Kakavija është paralizuar tërësisht nga të dy anët e kufirit. Gjithçka është justifikuar nga autoritetet helene të Kakavijës me një defekt të rëndë në serverin qendror të doganës dhe të pikës së kontrollit në këtë nyje kufitare. Gjithçka ka ndodhur papritur, në kulmin e kalimeve të autobusëve të udhëtarëve që vinin nga Greqia në drejtim të Shqipërisë. Gjendja për pak sa nuk ka precipituar në një moment kur dyndja e mjeteve në tentativë për të kaluar drejt territorit shqiptar, ishte e madhe, aq sa detyroi policët grekë të replikojnë ashpër me dy shoferë autobusi udhëtarësh të linjave Athinë-Tiranë, të cilët kërkuan sqarime për mungesën e shërbimeve. Policët grekë kanë ofenduar dy shoferët e autobusit dhe më pas ka ardhur reagimi i këtyre të fundit. Debati është shuar nga ndërhyrja e pasagjerëve, të cilët kanë larguar shoferin dhe fshehur atë mes tyre. Mungesa e shërbimeve ka krijuar një radhë në pjesën greke gati në 3 km gjatësi dhe më pas, nga mesdita, para se të zhbllokohej gjendja, radha shkoi në 7 km. Meme Kadrija, një grua që ishte tek i shoqi i saj në Athinë, u shpreh mjaft e revoltuar për zhvillimet e ditës së djeshme në Kakavijë. Sipas saj, grekët ishin mjaft irritues, pasi nuk u kanë komunikuar shtetasve shqiptarë se përse ndodhi ngecja dhe krijimi i radhëve kilometrike. “Jam e sëmurë dhe u ktheva nga Greqia pa u operuar, sepse greva bëri të sajën, – u shpreh ajo për gazetën “Panorama”. – Radhët e këtushme po më dobësojnë mjaft trupin dhe kjo do më krijojë probleme edhe më të ndjeshme për shëndetin tim. I kërkojmë shtetit tonë të jetë më kërkues për garantimin e lirive tona të lëvizjes”. Përveç radhëve të krijuara në territorin grek, ato u panë edhe në pjesën shqiptare të Kakavijës. Megjithatë, situata u normalizua rreth orës 12:00 të së martës, rreth dy orë pas rregullimit të defektit, në sistemin informatik. p.n











