Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani shkëlqeu në ndeshjen e javës së 25-të të Serisë A, duke shënuar golin e dytë në fitoren e Leçes 0-2 në transfertë ndaj Kaljarit.
Goli i Ramadanit erdhi në minutën e 76-të pas një gjuajtjeje të fuqishme nga jashtë zonës, duke vulosur fitoren dhe duke shënuar golin e tij të parë në këtë sezon të Serinë A.
Performanca e tij tregon se ai mbetet një nga lojtarët kryesorë të skuadrës dhe një element i domosdoshëm në mesfushën e Leçes duke kontribuar jo vetëm me golat, por edhe me organizimin e lojës dhe mbështetjen në fazën sulmuese.
Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, mesfushori shqiptar ndër të tjera deklaroi:
“Shpirti i skuadrës është më i miri në tre vitet që kam qenë këtu. Jemi një skuadër që nëse fitojmë, fitojmë të gjithë; nëse humbasim, humbasim të gjithë. Duhet të vazhdojmë kështu në 13 ndeshjet e ardhshme. Jam i lumtur me golin dhe që i dhashë ekipit tim tre pikë.
Lufta për të shmangur rënien nga kategoria po bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe e dinim se ishte një ndeshje shumë e rëndësishme jashtë fushe për t’u ngjitur në renditje dhe për t’u përgatitur me më shumë qetësi mendore për ndeshjen e vështirë kundër Interit.
Duam të japim gjithçka për këtë fanellë dhe goli më bën dyfish të lumtur sepse gruaja ime është shtatzënë dhe unë me të vërtetë doja t’ia dedikoja këtë gol asaj dhe të gjithë familjes sime. Leçe kishte nevojë të merrte pikë, për fat të mirë gjërat shkuan mirë dhe trajneri e përgatiti ndeshjen shumë mirë”, deklaroi Ramadani.
PANORAMASPORT.AL
© Panorama.al












