Komisioni i Zgjedhores seancë dëgjimore me Policinë, Bylykbashi: E papranueshme që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk është këtu! Strazimiri: Nuk jemi në seminar, të shtyhet mbledhja

Jul 22, 2026 | 11:35

Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore është mbledhur sot, ndërsa në rend dite ka një seancë dëgjimore me përfaqësues të Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Inteligjencës Financiare, lidhur me efikasitetin e masave penale në procesin zgjedhor.

mbledhja

I pranishëm është Sokol Bizhga, zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Mospjesëmarrja e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita shkaktoi reagime nga përfaqësuesit demokratë.

Bashkëkryetari i Komisionit, Oerd Bylykbashi deklaroi se është e papranueshme që Hita të mungojë në një mbledhje të tillë ku do të diskutohen gjëra të rëndësishme sa i përket rolit të Policisë në procesin zgjedhor.

“Këtu duhet të ishte Drejtori i Përgjithshëm. Kemi patur dy seanca të tjera dëgjimore, një me Prokurorinë e Përgjithshme dhe me SPAK, dhe kemi pasur përfaqësim në nivelin më të lartë të dy institucioneve. Prokurorin e Përgjithshëm dhe drejtuesit e SPAK.

Kështu që këtu duhet të ishte Drejtori i Përgjithshëm. Nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa parlamenti. Dua që kjo gjë kjo t’i komunikohet. Nuk është e pranueshme aspak që drejtori të mos vijë në një seancë dëgjimore, është çështje respekti për parlamentin. Është seancë dëgjimore ku do të nënvizojmë problemet.”, tha Bylykbashi.

Ndërsa Gent Strazimiri kërkoi shtyrjen e mbledhjes.

“Nuk më duket se është një nga ato raste ku drejtori mund të delegojë prezencën e tij në një mbledhje kaq të rëndësishme. Unë nuk besoj se zv drejtori i përgjithshëm është personi i duhur për t’iu përgjigjur interesit të këtij komisioni.

Nuk është seminar, kemi për të diskutuar gjëra thelbësore për rolin e policisë në zgjedhje. Kjo mbledhje duhet shtyrë. Drejtori i policisë të sqarohet se ka detyrimin të vijë këtu.”, tha ai. 

© Panorama.al

Te lidhura