Ish-kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, u ka bërë thirrje mbështetësve të tij të ngrihen kundër qeverisë së re, duke e akuzuar atë se ka cenuar demokracinë në vend.
Sipas agjencisë Reuters, kjo është deklarata e parë e fortë politike e Orbanit pas humbjes së pushtetit në zgjedhjet e prillit, pas 16 vitesh në drejtimin e Hungarisë. Përmes një reagimi në Facebook, lideri i partisë nacionaliste Fidesz publikoi një “Deklaratë Rezistence”, pak pasi partia e tij njoftoi se prokurorët kishin kontrolluar zyrat ku ndodheshin serverët e saj.
Prokurorët i thanë Reuters se kontrollet ishin pjesë e një hetimi për dyshime mbi “shpërdorim fondesh dhe vepra të tjera penale” në Fondin Kombëtar të Kulturës (NKA), gjatë periudhës së qeverisjes së Orbanit.
Orban deklaroi se Hungaria “ka pushuar së qeni një shtet demokratik”, pas ndryshimeve kushtetuese të miratuara nga qeveria e re e kryeministrit Peter Magyar. Sipas tij, këto ndryshime kanë dëmtuar institucionet demokratike, ndërsa ai kundërshtoi vendimin që i dha fund mandatit të presidentit dhe kreut të Gjykatës Kushtetuese.
“Epoka e tiranisë ka nisur sërish në Hungari”, tha Orban, duke shtuar se partia Fidesz do të përdorë “të gjitha mjetet paqësore” kundër asaj që ai e cilësoi si abuzim me pushtetin.
Nga ana tjetër, partia qeverisëse Tisza ka mohuar akuzat për sjellje autoritare dhe ka deklaruar se synon të luftojë korrupsionin, të cilin e konsideron një problem të përhapur gjatë qeverisjes së Orbanit.
Viktor Orban është përballur prej vitesh me kritika nga Bashkimi Europian për çështje që lidhen me sundimin e ligjit, standardet demokratike dhe të drejtat e pakicave. Ai ka mohuar vazhdimisht akuzat për korrupsion.
Partia Tisza aktualisht ka një shumicë të gjerë në parlament, çka i jep mundësinë të ndryshojë disa nga reformat e miratuara gjatë qeverisjes së mëparshme.
Ndërkohë, sondazhet e fundit tregojnë një mbështetje të lartë për Tiszën. Një anketim i agjencisë Median këtë muaj e rendiste atë me 60% mbështetje, përballë 18% të Fidesz. Pas humbjes në zgjedhje, partia e Orbanit është përballur edhe me probleme të brendshme, përfshirë dorëheqjen e kreut të grupit parlamentar.
© Panorama.al












