Kryeministri i ri britanik nis masat për koston e jetesës, ul çmimet e biletave të autobusit

Jul 22, 2026 | 10:54

Kryeministri i ri i Britanisë së Madhe, Andy Burnham, ka njoftuar një masë të re për të ulur kostot e transportit publik, duke vendosur një kufi prej 2 paundësh për biletat e autobusit, nga janari i ardhshëm.

autobus britani

Sipas qeverisë britanike, kjo masë do të ulë çmimin e udhëtimit me autobus deri në një të tretën, në kuadër të përpjekjeve për të lehtësuar ndikimin e krizës së kostos së jetesës tek qytetarët.

Kufizimi i çmimit të biletave do të mbështetet me një fond shtesë prej 454 milionë paundësh, i siguruar përmes rishikimit të prioriteteve të shpenzimeve në buxhetin e Departamentit për Sigurinë e Energjisë dhe Emetimet Zero, sipas zyrës së kryeministrit britanik.

“Siç kam thënë që nga dita e parë, do të ndërtoj një vend që funksionon për të gjithë, kudo. Kjo do të thotë komunitete më të lidhura, akses më të madh në mundësi dhe më pak barrë financiare në jetën e njerëzve”, deklaroi Burnham.

Vendimi për transportin publik vjen një ditë pasi qeveria e re britanike njoftoi edhe heqjen e TVSH-së nga faturat e energjisë elektrike për familjet, masë që do të hyjë në fuqi më 1 tetor.

Kostoja e kësaj nisme do të mbulohet përmes anulimit të skemës së identitetit dixhital, një projekt me vlerë 1.8 miliardë paundësh.

Burnham tha se qeveria e tij do të prezantojë edhe masa të tjera në ditët në vijim, me synimin për të ndërmarrë hapa që qytetarët t’i ndjejnë shpejt, veçanërisht familjet me të ardhura më të ulëta.

© Panorama.al

Te lidhura