Gjendje e jashtëzakonshme, stuhitë vrasin 40 persona

Apr 18, 2011 | 11:11

Numri i të vdekurve nga tre ditë moti të keq në pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara ka shkuar të paktën 40 veta. Vendi i fundit që është goditur ishte Karolina e Veriut, ku 62 tornado kanë lënë gjurmët e një shkatërrimi, në stuhinë më të keqe që ka goditur këtë shtet për dy dekada. Qeveria ka deklaruar gjendjen e jashtëzakonshme pas raportimit të numrit të vdekjeve në katër vende. Edhe Oklahoma, Arkansasi, Misisipi, Alabama, Xhorxha dhe Virxhinia janë goditur nga tornadot. Zyrtarët thanë se numri i viktimave pritet të rritet ndjeshëm, pasi skuadrat e shpëtimit janë duke kërkuar në gërmadha për të gjetur të mbijetuar apo trupa pa jetë. Disa agjenci amerikane kanë raportuar se numri i viktimave është 44 vetë. Sipas dëshmitarëve, në vendet e goditura nga stuhitë, në ajër fluturonin gurë të mëdhenj dhe furia e erërave ka shkaktuar përmbytje dhe tornado. Stuhia a parë nisi në Oklahoma, të enjten e më pas mori përpara në pjesën lindore. Guvernatorja e Karolinës së Veriut, Beverli Perdju, tha se ky ishte numri më i lartë i tornadove të regjistruar që nga viti 1984. Ajo nuk konfirmoi se sa ishte numri i viktimave në këtë shtet, por një zyrtar tha më pas se kishte të paktën 14 të vdekur të konfirmuar deri në atë çast. Pemët dhe linjat e korrentit energjetik janë shkatërruar nga stuhitë, çatitë e shtëpive kanë fluturuar dhe makinat nëpër rrugë janë të përmbysura. Tani stuhia ka kaluar mbi Atlantik.

© Panorama.al

Te lidhura