Gjendet në Lezhë makina e vjedhur e deputetit të PS, Eduart Shalsi

Oct 28, 2011 | 11:04

TIRANE – Deputeti i PS, Eduart Shalsi, ka gjetur dje makinën luksoze që i ishte vjedhur një javë më parë në Tiranë. Makina që i ishte vjedhur deputetit socialist ishte lënë në autostradë, në afërsi të Lezhës. Mjeti “Opel Antara”, një javë më parë ishte grabitur te rruga “Mine Peza” në Tiranë, ndërkohë dje është gjetur e parkuar në anë të rrugës me bllokazh të hapur dhe e padëmtuar. Vetë Shalsi ka treguat se ditët e fundit merrte mesazhe në telefonin e tij, nga numra të panjohur, që i tregonin se makina e tij ishte parë në Sauk, te Ura e Beshitit, Elbasan, etj. Dhe kur shkonte në vendin ku ishte lajmëruar, nuk e gjente makinën. Ndërsa dy ditë më parë, mesazhi i radhës ka rezultuar i saktë. Deputeti Eduart Shalsi është lajmëruar se makina është parë në afërsi të Lezhës, në autostradën Fushë-Krujë-Shkodër dhe është nisur për ta verifikuar. Ka rezultuar që ishte pikërisht makina e tij dhe në këtë moment ka lajmëruar policinë. Fillimisht makina është marrë nga forcat e policisë për kryerjen e procedurave të nevojshme dhe më pas, dje, i është dorëzuar Shalsit. Deputeti socialist denoncoi vjedhjen e automjetit të tij në Komisariatin Nr.3, para një jave. Shalsi në kallëzimin e tij shprehej se e kishte parkuar makinën në anë të majtë të rrugës “Mine Peza”, pasi kishte për të marrë një celular që kishte lënë për të rregulluar aty afër. Për shkak se nuk do të kishte vonesë, ai ka lënë edhe çelësat brenda, bashkë me telefonin. Vetëm pas disa minutash, ai është kthyer dhe nuk e ka gjetur makinën që kishte parkuar. Burime nga policia argumentuan gjetjen e makinës të padëmtuar me faktin se autorët që e kanë vjedhur nuk kanë arritur ta çmontojnë që ta shisnin si pjesë këmbimi. Për shkak se automjeti ishte prodhim i vitit 2010 dhe i pajisur me sistem të lartë sigurie. Ndërsa mësohet se hetimet vazhdojnë për identifikimin e autorëve të vjedhjes.

makina
Automjeti i vjedhur i deputetit Eduart Shalsi mësohet se ka qenë me kilometrazh zero. Makina në fjalë është prodhim i viteve të fundit dhe nuk ka ende një shpjegim përse autorët e vjedhjes e kanë lënë në anë të rrugës në Lezhë. Shkaku i vetëm mund të ketë qenë sistemi i sigurisë së mjetit, që mund të ketë bllokuar funksionimin e makinës.

© Panorama.al

Te lidhura