TIRANE – Një 18-vjeçar është gjetur i plagosur me thikë në afërsi të “Zogut të Zi” në Tiranë, nga një patrullë policie dhe është transportuar menjëherë drejt Spitalit Ushtarak. Burime nga policia thanë se i plagosuri, Ledjon Doko, është parë i gjakosur mbrëmjen e së mërkurës, teksa zvarritej për të kërkuar ndihmë, por nuk mbante mend me saktësi se çfarë i kishte ndodhur. Pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore në spital, ai është pyetur nga oficerët e policisë në lidhje me ngjarjen dhe për emrin e personit që e kishte goditur me thikë në bark. Por, Doko mësohet të ketë deklaruar se nuk mban mend se kush apo sa persona kanë qenë ata që e kanë goditur, vetëm në një moment e ka parë vetën të gjakosur dhe ka nisur të ecë në këmbë drejt spitalit, derisa është rrëzuar në tokë. Sipas policisë, 18-vjeçari e ka të paqartë se si ka ndodhur ngjarja, pasi në momentin kur është goditur ka qenë nën efektin e alkoolit. Nga të dhënat paraprake hetimore, rezulton që Doko ka qenë në një qendër interneti në zonën e “Ali Demit” dhe sipas të dhënave, pasi ka dalë nga aty mund të jetë sulmuar nga autorët dhe është goditur me thikë. Vetë i plagosuri dyshon se e kanë sulmuar për ta grabitur, pasi ka parë që i mungonin rreth 2 mijë lekë të rinj dhe telefoni celular. Ndërsa ende është e paqartë se si ka arritur deri në afërsi të “Zogut të Zi”, edhe pse kishte një goditje me thikë në bark, për shkak të së cilës kishte humbur shumë gjak. Burimet thanë se i riu do të merret sërish në pyetje në një moment kur gjendja e tij shëndetësore të jetë përmirësuar.











