Gerta Heta: Luna ndryshoi jetën time

Aug 14, 2011 | 12:30

Nuk e kishte menduar se në jetë ekzistonte dhe një tjetër dashuri e madhe, përpos asaj për partnerin dhe të dashurve të zemrës. Të paktën deri në momentin që provoi ndjesinë e të qenit nënë, e të mbajturit në krah të një qenieje aq të vogël, që e mrekulloi që në çastet e para të lindjes, kur mjekët ia vendosën në gjoks. Pohon se është një dashuri pa kushte. Është përgjegjësi dhe përkushtim. Së bashku me Matkon, bashkëshortin e saj, këngëtarja Gerta Heta tregon shumëçka për mëmësinë, ardhjen në jetë të Lunës dhe pushimet në Kroaci me bashkëshortin, vjehrrin e vjehrrën.
Ishin ndryshe nga ç’i kishit imagjinuar emocionet e lindjes së një fëmije?
Duke qenë një ndjesi e paprovuar më herët, sigurisht që kishte shumë emocion brenda. Lindja nuk ishte e vështirë, sepse si frikacake e madhe ndaj dhimbjeve te lindjes, planifikova që në fillim operacion. Edhe pse nuk provova lindjen natyrale, edhe unë si çdo nënë kam qarë, sapo dëgjova të qarat e bebes. Por, nuk kishte gjë më të mrekullueshme se momenti kur ma vendosën time bijë në gjoks. E papërshkrueshme me fjalë. Shtatzënia më transformoi goxha edhe linjat trupore. Di që shtova 20 kilogramë, nga të cilat 15 i humba menjëherë pas lindjes, pasi kisha tepër ujë të mbledhur. Ditët e fundit të shtatzënisë mezi prisja të shikoja beben e po më humbte durimi.
Çfarë ka ndryshuar në jetën tuaj pas tre muajve të ardhjes në jetë të Lunës?
E gjithë jeta ime ka ndryshuar së tepërmi. S’ka më jetë nate apo largime nga shtëpia më shumë se tri orë, pasi e ushqej me gji e Lunën, e merr uria çdo tri orë. Jam bërë totalisht skllave e saj, nuk kam fare kohë të merrem me veten, edhe kur dal më rri mendja tek vajza. Ndonjëherë më tingëllon e çuditshme, por ja që njeriu mësohet me të gjitha. Edhe me netët pa gjumë, edhe me ushqyerjen, edhe me larjen e shëtitjen e vajzës. Është një lodhje e madhe, por ngushëlloj veten me faktin që ky kapitull i vështirë, me lodhje fizike e nganjëherë mendore, do kalojë. Është thjesht i përkohshëm. Sa për bashkëshortin, debatet e vetme që bëjmë i kemi mbi vajzën, se cili prej nesh e mban më mirë, me kë ajo qan më shumë apo më pak.
Duket se nga vajza dhe këngëtarja rebele ka mbetur pak gjë…

Gerta Heta me bashkëshortin dhe vajzën e tyre, Luna

Deri në momentin që nuk e ke provuar mëmësinë, është e lehtë të japësh receta për t’ia dalë mbanë. Nga liria e pakufishme dhe nga argëtimet e jetës, tashmë ka mbetur fare pak hapësirë e lirë… sepse e gjithë vëmendja është fokusuar tek ime bijë.
Luna erdhi papritur apo e paramenduar nga ju dhe bashkëshorti?

Prej pak kohësh dëshironim një fryt të dashurisë sonë, e falë Zotit nuk vonoi. U bëmë prindër të Lunës.
Mëmësia shoqërohet shpesh me ndryshim të gjendjes psikologjike dhe asaj emocionale. Si u shfaq kjo fazë tek ju?
Gjate shtatzënisë nuk pata ndonjë ndryshim emocional apo psikologjik, ndërsa pas lindjes së Lunës pata disa ditë trishtimi. Psikologjia e njeh këtë gjendje si “baby blues” ose e thënë ndryshe faza postpartum. Të them të drejtën e kam përjetuar pak ditë, si pasojë e ndryshimit të madh që pësoi jeta ime, pavarësisht lumturisë që përjetova nga lindja e vajzës.
Çfarë ju ndihmoi për ta kapërcyer këtë moment delikat?
Ishte diçka kalimtare. Më ndihmoi besimi tek vetja dhe nevoja për t’i qëndruar pranë të voglës sime. E shihja në bebe të syrit dhe kuptoja që ato kishin aftësinë të më magjepsnin. Nuk mund ta linte të vuante, prania e nënës është tepër e rëndësishme për foshnjat e duket se kjo më dha forcë. Sigurisht, më ndihmoi edhe im shoq e të afërmit e mi, duke më qëndruar pranë e duke më dhënë shumë dashuri dhe përkushtim.
Të qenit nënë nuk nënkupton vetëm dashuri pa kushte, por edhe shumë përgjegjësi. Si i keni ndarë rolet e detyrat në familje?
Ka shumë përkushtim dhe dashuri ndaj fëmijës e shumë pak kohë për veten. Detyrat janë të shumta, duke filluar nga dhënia gji, larjet, ndërrimet, vëniet në gjumë, shëtitjet e duke përfunduar me detyrën më kryesore: edukimin e mirë.
Por, sa bashkëpunues është Matko në rritjen e Lunës?
Matko është mjaft bashkëpunues. Ta shëtisë Lunën është diçka që e bën me qejf. Në situatat e tjera në familje është i pranishëm dhe më jep ndihmë, por kuptohet aq sa mund të bëjë një mashkull. Për vështirësi mbase është ende herët, nuk më ka shprehur pretendime.
Do ta rrisni vetë, do ta çoni në çerdhe apo do merrni dado?
Këto janë preokupime që gjithnjë i shqetësojnë një çift, në momentin që ata bëhen prindër. Çerdhja është e përjashtuar si ide, kopshti është tepër herët, ndërsa për një dado e mendoj shpesh si alternativë, por është vetëm çështje besueshmërie. Duhet të sigurohem mirë cilin person do punësoj për t’i besuar dritën e syve të mi.
Arrini t’i menaxhoni situatat e vështira, si p.sh. një temperaturë të lartë…?
Për të qenë e sinqertë, bashkëshorti, megjithëse pa eksperiencë, është i fortë në raste të tilla, ashtu sikurse gjyshërit e Lunës që flasin nga eksperienca. Ndërsa mua më zë paniku për gjënë më të vogël, veçanërisht në temperaturë apo në bërjen e vaksinave.
Ka pasur edhe çaste kur jam ndier tepër e lodhur fizikisht e mendërisht, por nuk e kam lëshuar veten. Kam sjellë ndërmend qëllimin madhor, këtë fëmijë dhe mirëqenien e tij.
Kujt i ngjan ajo?
Ka marrë diçka nga të dy, qoftë në fizionominë e fytyrës, tiparet e gjithçka.
Është periudhë pushimesh e le të flasim pak për to…
Kam pak kohë që jam kthyer nga pushimet. I kalova në ishullin Hvar të Kroacisë, bashkë me prindërit e Matkos dhe vajzën. Ishin pushime vërtet të bukura, që i shijova shumë bashkë me të voglën time.

 

ERMIRA ISUFAJ

© Panorama.al

Te lidhura