
TIRANE – Prokuroria e Tiranës mbeti edhe dje në “vendnumëro” në lidhje me vijimin e leximit të pretencës për 29 të pandehurit e dosjes “Gërdeci”. Gjykata e Tiranës shtyu dje për të dytën herë radhazi seancën gjyqësore, ku pritej që prokuroria të vijonte leximin e materialit prej 500 faqesh të konkluzioneve përfundimtare të organit të akuzës. Shkak i dështimit të seancës ku mund të ishte dëgjuar edhe kërkesa e prokurorisë për fajësi apo jo ndaj të pandehurve, ishte mungesa e një numri të konsiderueshëm avokatësh mbrojtës. I njëjti shkak shtyu edhe seancën e së martës. Në këtë mënyrë, ndonëse gjykata është investuar dy herë pas seancës të së hënës, njohja e palëve dhe të pandehurve me pretencën është vetëm ajo e 136 faqeve të para të materialit të saj. Seanca e djeshme zgjati vetëm pak minuta, për aq sa kryesuesi i seancës, gjyqtari Ridvan Hado, bëri kontrollin e pranisë së palëve në proces. Gjatë këtij kontrolli u vu re mungesa e disa prej avokatëve mbrojtës dhe, për rrjedhojë, mbetja pa mbrojtje e më shumë se 7 të pandehurve. E gjendur në këto kushte, trupa gjykuese vendosi ndërprerjen e gjykimit dhe shtyrjen e seancës për ditën e sotme. “Gjykata e sheh të pamundur vijimin e procesit”, u shpreh ndër të tjera gjyqtari Hado. Teksa po mbyllte seancën, kryesuesi i seancës u kërkoi avokatëve të ishin më seriozë në paraqitjen e tyre, pasi po bëhen shkak për shtyrjet e njëpasnjëshme të seancave. Ndërprerja e seancës u shoqërua me revoltimin e një prej të pranishmëve në publikun e sallës, banores së Gërdecit Zamira Durda, e cila ka humbur djalin e saj të mitur nga shpërthimi i 15 marsit 2008. “Ne na dogjën e shkatërruan dhe na zvarrisin gjyqeve”, u shpreh Durda teksa u largua nga salla duke mos kursyer as akuza të rënda drejtuar avokatëve. Në seancën e së hënës, përfaqësuesit e Prokurorisë në procesin “Gërdeci” nisën të lexojnë para trupës gjykuese materialin e konkluzioneve përfundimtare të tyre në lidhje me shqyrtimin gjyqësore të kësaj dosjeje. Referuar përfundimeve të prokurorisë, në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec ishte punuar në shkelje të çdo rregulle sigurie dhe, sipas akuzës, të pandehurit duhet të mbanin përgjegjësi për këtë. “Leva, pinca dhe sqepari ishin teknologjia ‘bashkëkohore’ që përdorej në fabrikën e demontimit”, pohuan prokurorët.
ARMAND BAJRAMI











