Improvizimi është e veçanta e shfaqjes pa skenar që ndodh brenda mureve të “Apartamentit 2 XL” në ekranin e “Vizion Plus”. Gent Zenelaj, një nga aktorët më të njohur të trupës së humorit të këtij show, flet për të papriturat e sezonit që nis më 5 tetor dhe politikanin e huaj që do ftojnë këtë vit. Ofertat që u janë bërë aktorëve të humorit nga televizionet e tjera dhe çfarë kanë vendosur ata për sezonin tjetër.
Kur nis sezoni i ri i “Apartamenti 2 Xl” dhe cila do të jetë surpriza e natës së parë?
Sezoni i ri i “Apartamentit 2 XL” nis më 5 tetor, pra të dielën e parë të muajit tjetër. Jemi shumë të gëzuar dhe mezi po presim, pasi vera ishte e gjatë dhe na kishte marrë malli për skenën e publikun. Do të ketë shumë surpriza dhe jam i bindur se do të jetë një sezon shumë i mirë. Kam ndier energjinë pozitive mes trupës së aktorëve, që ma mbush mendjen për këtë.
Sezonin e kaluar pas largimit të Ermal Mamaqit, nuk pati një aktor që ta zëvendësonte. Vendi i tij është lënë bosh me qëllim?
Nuk pati aktor zëvendësues, sepse ne kemi një trupë që është kompletuar tashmë, ka elementë dhe personalitete të ndryshme. Jam i mendimit që kjo trupë i plotëson më së miri të gjitha kërkesat e “Apartamentit 2XL”. Pastaj nuk mund të flasim për zëvendësim, sepse Ermali është miku dhe kolegu ynë, i cili për arsye personale, që të gjithë i dimë, vendosi të bëjë një pauzë, por është dhe do të jetë kolegu ynë.
Pra, ju nuk bëni audicione për ta freskuar trupën me aktorë të rinj?
Për sa u përket aktorëve të rinj, ne jemi vazhdimisht në kërkim të elementëve të rinj, dhe tashmë kemi filluar edhe të provojmë diçka me disa ta. “Apartamenti 2XL” i ka dyert e hapura për të gjithë, mjafton të kenë dëshirë dhe të kenë një ëndërr për të realizuar.
Të ftuarit VIP janë pjesë shumë e rëndësishme e show-t. E keni bërë që tani listën e tyre?
“Apartamenti 2XL” s’ka funksionuar asnjëherë me listë. Producenti i spektaklit, Turjan Hyska, është gjithmonë në kërkim të të ftuarve VIP, që janë në qendër të vëmendjes publike. Kështu që për ne vetë, çdo e shtunë është pak a shumë si dita e hapjes së dhuratave. Të gjithë vdesim nga dëshira të dimë cilin VIP ka sjellë
babagjyshi.
Për sa i përket vendit të politikanit në këtë spektakël, cilit emër do i këndoni për të qenë prezent këtë sezon?
Kjo është një pyetje e mirë. Tashmë ne kemi thirrur ajkën e politikës shqiptare dhe ky është një ngërç… Por ne po hedhin sytë edhe jashtë kufijve të Shqipërisë tashmë, ku i dihet?! Mund të ketë ndonjë “Big Surprise” …Vërtet do kisha shumë dëshirë të kishim të ftuar një politikan ndërkombëtar.
Cilat do të jenë incidentet që do të ndodhin në shtëpi? Në ç’raste do i kapërceni kufijtë?
E mira do të ishte që kufijtë të mos kapërcehen. Por incidente ka gjithmonë, ne në fakt bëjmë humor që është “me mend në kokë”, ama asnjëherë nuk i dihet. Improvizimi ka gjithmonë të papritura, sidomos sezoni që shkoi kishte shumë befasi. Por kam kolegë të mrekullueshëm, djem dhe vajza shumë sportivë. E them me mburrje se, kur jam me ta në skenë, nuk kam kurrë frikë.
Është folur se grupit “THE SHBLSH” i është bërë një ofertë shumë e mirë nga një televizion tjetër për në janar. Ç’mund të na thuash?
Ne oferta kemi pasur gjithmonë, por lajmi që mund të largohemi më habiti shumë. Personalisht jam shumë besnik ndaj vendit ku punoj, pas një sorollatjeje pa sukses për ndërtimin e një show të ri humori, ne në “Vizion Plus” gjetëm mikpritje të veçantë dhe u ndjemë shumë mirë. Personalisht nuk shoh asnjë arsye as personale dhe as financiare që të braktis këtë televizion, aq më tepër që jam në mes të realizimit të mjaft projekteve të reja.
Vitin e kaluar të kemi parë dhe në pozicionin e shefit të gatimit në programin “Te Genti”. Këtë sezon do kesh programe të tjera plus?
Sapo mbarova fazën e parë të emisionit “Te Genti”. Ndërkohë jam në mes të xhirimeve të një projekti të ri së bashku me Orinda Hutën. Bëhet fjalë për një emision plot humor dhe sportivitet për makinat dhe motorët. Kam plan dhe projekte të reja në vazhdim, kështu që me sa shoh, marrëdhënia ime me Tring do jetë e gjatë.
Çfarë dënohet me ligj tek Apartamenti ynë
Femra më tunduese që do dëshiroje ta shkelte apartamentin tuaj?
Monika Belluci.
Mashkulli më seksi si duhet të prezantohet në apartament?
I veshur me kanatiere me vrima, mundësisht ngjyrë e zezë.
Cili do të jetë politikani më i bukur që do të shkelë te ju?
Politikanët i kemi të gjithë të bukur, s’di të bëj dallime. Por njëri më ka ngelur peng që s’po na vjen, Mr. Nard Ndoka.
Këngëtarja që di të kërcejë më bukur?
Kemi pasur shumë këngëtare. Ja të shohim çfarë do na ofrojë tregu muzikor në sezonin e ri vjeshtë-dimër.
Një kuzhinier i mirë çfarë duhet të gatuajë patjetër në “Apartamentin 2XL”?
Të paktën vezën duhet ta qajë. Por unë po them çfarë s’duhet të bëjë një kuzhinier i mirë. Të mos marrë çekiçin dhe t’i rrahë bifteket te parvazi i ballkonit në orën 10:00 të darkës, se fle dynjaja…
Tradhtia më e rëndë që bëhet në atë shtëpi?
Tradhtia më e rëndë do ishte t’i haje tjetrit copën e tortës, me pretekstin se ai s’ka ardhur nga puna ende.
Çfarë dënohet me ligj?
Me ligj dënohet futja me këpucë në tapet.
Kush është më i pasuri në “2 XL”?
Më i pasuri aty është Xhoda.
Borxhliu më i madh?
Me raste, herë njëri e tjetri. Po e mira është që të mos i mbash borxhet, sidomos me KESH-in, se janë të frikshëm. Maksimumi 24 orë të presin…
Më qaramani i “Apartamenti 2 XL”?
Unë. Aktorët gjithmonë mbajnë dy pako të mëdha me facoleta për mua.











