Aktivisti Albion Nikolli, një nga protestuesit e arrestuar gjatë protestës së zhvilluar të enjten para Kuvendit, është liruar këtë të shtunë pas disa ditësh qëndrimi në ambientet e policisë.
Në një prononcim për News24, Nikolli ngriti akuza për dhunë policore, duke pretenduar se ai dhe protestues të tjerë janë keqtrajtuar si gjatë arrestimit, ashtu edhe më pas në komisariat.
Sipas tij, ngjarja nisi rreth orës 14:00, kur ai së bashku me disa protestues të tjerë shkuan në polici për të marrë informacion mbi një protestues të arrestuar.
“Shkuam në polici për të marrë informacion për një protestues të arrestuar. Na thanë se nuk kishin informacion dhe të largoheshim. Në momentin që po largoheshim, u dha urdhri ‘Kapeni këtë!’ dhe disa prej nesh u arrestuam. Arrestimi ishte i dhunshëm. Na goditën, megjithëse nuk bëmë asnjë rezistencë dhe i pyetëm pse po përdorej dhunë ndaj nesh”, deklaroi Nikolli.
Ai pretendoi gjithashtu se protestuesi Arbër Lleshi është dhunuar edhe pasi ishte prangosur, duke thënë se ai është goditur brenda automjetit të policisë nga një person civil.
“Nuk kemi marrë ndihmë mjekësore dhe nuk na është bërë ekspertizë. Kam shenja në trup nga dhuna, jo vetëm unë”, u shpreh Nikolli, duke shtuar se asnjë prej të arrestuarve nuk është dërguar për ekzaminim mjeko-ligjor, pavarësisht dëmtimeve që, sipas tij, kanë pësuar gjatë arrestimit.
© Panorama.al












