Atalanta e sezonit 2026-2027 nis punën këtë të hënë nën drejtimin e trajnerit të ri, Mauricio Sarri, i cili ka marrë drejtimin e klubit bergamask duke tentuar që të nisë një cikël të ri me të.

Në radhët e kësaj skuadre bën pjesë edhe Berat Gjimshiti, por sipas mediave italiane, ai po bënte gati valixhet për të tentuar një aventurë të re, pasi me ndryshimin e skemës nga Atalanta, duke kaluar në mbrojtjen me 4, nuk bënte pjesë në planet e Mauricio Sarrit.
Por pavarësisht zërave të shumtë, përfshirë edhe atë të transferimit te Roma për të qenë një alternativë për prapavijën verdhekuqe nën urdhrat e Gasperinit, Mauricio Sarri duket se kërkon të shohë vetë nga afër kapitenin e Kombëtares.
Klubi ka bërë të ditur se ditën e nesërme, kur nisin përgatitjet me testet fizike dhe të vlerësimit sportiv, Berat Gjimshiti do të jetë rregullisht pjesë e ekipit. Ai është përfshirë ne listë bashkë me pjesën më të madhe të lojtarëve, të cilëve u janë bashkuar edhe nga ekipi U23, me të vetmet mungesa që kanë lidhje me lojtarë që kanë luajtur apo vazhdojnë e luajnë në Botërorin 2026.
PANORAMASPORT.AL
© Panorama.al











