Gent Bejko dhe Jonida Vokshi janë dy aktorët protagonistë në filmin komik me metrazh të gjatë me titull “6 idiotët”, premiera e të cilit u shfaq të enjten në mbrëmje (6 shkurt), në kinema “Imperial” në Tiranë. Aktorët kanë luajtur rolet e idiotëve më këtë film, prodhim i Digitalb, me regji të vetë Bejkos. Gjithë ngjarja zhvillohet në një udhëtim me furgon të dy aktorëve dhe një trupe interesante të përbërë nga Gert Ferra, Niada Saliasi, Ergys Cekrezi, Ilirda Bejleri, Orsi Vangjeli. Të gjashtë aktorët që kanë pranuar të luajnë karakteret e idiotëve, kanë pasur sukses me lojën e tyre pa komplekse dhe shumë të papritura. Jonida merr pjesë në këtë projekt filmik pas serialit komik “O sa mirë”, ndërsa Genti me disa projekte paralelisht po përgatitet të vendosë në skenë “Lakuriq me duar ne xhepa”, një “stand up comedy”. Publiku do ketë mundësinë ta shijojë atë duke pirë një gotë në club “Mumja”, ku do të jepet shfaqja.











