Gati pr/ligji për liberalizimin e tregut të energjisë

Oct 3, 2011 | 16:31

TIRANE- Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës njoftoi sot se ka gati një projektligj nëpërmjet të cili synohet liberalizimi i tregut të energjisë elektrike në vend. Në njoftimin e METE  thuhet se hartimi i ligjit është bërë në përputhje me direktivat që kërkon Bashkimi Evropian për këtë sektor.

METE thotë se nëpërmjet këtij ligji synon që të realizojë hapjen dhe liberalizmin real të tregut të energjisë elektrike në Shqipëri, i cili aktualisht është liberalizuar vetëm formalisht dhe do të prishë monopolet e krijuara në tregun e energjisë elektrike.

Sipas ministrisë, është vërejtur rritje e madhe e kërkesës për energji elektrike gjatë vitit 2011 dhe po sipas saj,  parashikohet të jetë akoma më e lartë për vitin 2012.

“Me këtë projektligj, energjia e prodhuar nga HEC-et ekzistuese me kosto të ulur dhe kapital 100 për qind shtetëror do të shkojë për furnizimin e konsumatorit familjar dhe bizneseve të vogla dhe të mesme”- thuhet në njoftimin e METE.

METE thekson se projektligji është  përgatitur me konsulencën e kompanive të huaja dhe që shumë shpejtë do të kaloje për marrje mendimi dhe miratim nëpër strukturat përkatëse, pasi sipas saj, ndryshime duhen bërë shpejt, në mënyrë që të gjithë operatorët e tregut të jenë të përgatitur për të operuar normalisht në vitin 2012 dhe ERE të ketë mundësi të marrë në konsideratë këto ndryshime, në përcaktimin e çmimeve dhe tarifave për sektorin e energjisë elektrike për vitin 2012.

© Panorama.al

Te lidhura