Gabimet e Leos, interistët e braktisin

Apr 7, 2011 | 13:01

Brenda 4 ditëve, të gjithë interistët kanë parë që të rrëzohet imazhi i pathyeshëm i skuadrës së tyre. Pas dështimit me Shalken, ata e kanë marrë vendimin e tyre: Leonardo duhet të largohet. Pasi u mposhtën në derbi, si dhe pas eliminimit që tashmë është thuajse i sigurt nga Liga e Kampioneve, tifozët zikaltër i kanë dhënë start kontestimit të tyre. Mes Milanit dhe ekipit gjerman, 8 gola dhe 2 humbje kanë shuar përfundimisht ëndrrat e interistëve për madhështi. Para gjyqit ka përfunduar sidomos Leonardo, i cili është shtypur në 180 minutat e fundit nga tabutë e tij: si trajner nuk ka fituar kurrë një derbi dhe as një ndeshje Champions-i në shtëpi. Në fakt, Leonardo ka përfunduar në mes të ciklonit. “Kthehu te Milani” ishte fraza më e sjellshme që i është thënë trajnerit brazilian. Vërshëllimat për të s’kanë të mbaruar, ashtu si dhe për Kivun, ndërsa të gjithë kanë një ëndërr të madhe për të ardhmen, që mban mbi supe emrin e Guardiolës. Emri i trajnerit të Barcelonës është i vetmi që mund t’i rikthejë buzëqeshjen atyre që, për herë të parë prej vitesh, ka lënë stadiumin kur vërshëllima finale donte shumë kohë që të dëgjohej. Kjo vetëm në rast se Murinjo, i cili në të njëjtën mbrëmje arriti të provonte se është një nga ata që në sfidat e rëndësishme nuk dështon kurrë, nuk do të vendosë që të befasojë këdo me vendimin e bujshëm të radhës në karrierë. E vërteta është që pas një dominimi të pandërprerë, Interi ka zbritur me këmbë në tokë dhe ka filluar të përballet me fantazmat e tij. Dhe, nga tribuna e “San Siros” e deri në ueb, “tam-tam”-i i post-ndeshjes ka qenë po i njëjti: Leonardo nuk është trajneri i duhur për të ndjekur gjurmët e Murinjos.

Morati nuk heq dorë nga Leonardo

Përpara ndeshjes ka deklaruar se shpresonte që Leonardo të qëndronte dhe Masimo Morati nuk ka ndryshuar mendim as pas humbjes së thellë me Shalken. “Konsiderata që unë kam për të, nuk ka ndryshuar, për të ndoshta po, por të jeni të bindur që unë e di mirë se sa i ashpër është futbolli dhe ai u gjend në një realitet tjetër. Është një njeri serioz, biseduam, nuk ishte aspak në formë. Nuk ishte mësuar me ndryshime drastike të situatës, – ka deklaruar presidenti i Interit. – Nuk më pëlqen arroganca, por as që të jemi të çarmatosur. Suksese kemi pasur, askush s’mund ta mohojë, humbja ishte diçka e papritur, ishte një leksion i vështirë. Ishte një humbje që erdhi nga lodhja”.

Kartonët, Kivu i vë shkelmin rinovimit

Kristian Kivu është pasqyrimi i periudhës negative që po kalon Interi. Mbrojtësi rumun në 3 ditë ka marrë 2 kartona të kuq, që kanë qenë edhe arsyet kryesore të humbjeve të Interit. “Spektakli” i rumunit ka filluar të shtunën në mbrëmje kundër Milanit. Të martën, kur Shalke kryesonte 3-2, Kivu ka marrë kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë skuadrën me dhjetë lojtarë. Ish-it të Romës i skadon kontrata në 2012-ën dhe ky nuk është një nga sezonet e tij më të mira, për pasojë Interi mund të vendosë që ta zëvendësojë. Rinovimi i kontratës, që deri javën e kaluar flitej se do të bëhej deri në 2015-ën, rrezikon të dështojë pas paraqitjeve dështuese të lojtarit në 2 ndeshjet e fundit.

© Panorama.al

Te lidhura