Fyle: Raporti, zile alarmi për të zgjuar politikanët shqiptarë

Oct 14, 2011 | 10:03
Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle

Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle, fajësoi të dy forcat politike për humbjen e statusit të vendit kandidat. Duke e personifikuar me kërcimin e një tangoje, komisioneri Fyle u kërkoi dy partive kryesore nisjen e dialogut të përbashkët. “Ju e dini se ne jemi përpjekur gjithmonë që të mos luajmë me këtë lojë fajësimesh, sepse në kohë të ndryshme unë vërej që peshorja nuk anon vetëm nga njëri krah. Por, them se duhen dy veta për të kërcyer tango dhe se ju keni nevojë që qeveria të bisedojë së bashku me opozitën e ta hedhin bashkë këtë lloj ‘valleje europiane’”, theksoi Fyle. Komisioneri për Zgjerim theksoi se raport-progresi është lloj “skaneri” mbi “shëndetin” e Shqipërisë, për “shëndetin” e saj europian. Sipas zyrtarit të lartë europian, palëve u nevojitet shumë punë për të fituar besimin te njëra-tjetra. Raporti, sipas tij, është zile alarmi për të zgjuar politikanët. “Unë shpresoj që raporti i progresit, pjesa që lidhet me Shqipërinë, mund të jetë njëkohësisht edhe një zile alarmi për të zgjuar politikanët atje, por dhe inkurajimi serioz i radhës për politikanët që të kapërcejnë mosbesimin personal, i cili, siç duket, nuk e lejon qeverinë që nga ana e saj të krijojë kushtet për një proces gjithëpërfshirës europian dhe opozitën që të luajë rol konstruktiv në atë proces”, tha Fyle. Përmbushja e 12 prioriteteve kyçe, ku nevojitet bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës, sipas komisionerit për Zgjerim, është një parakusht në vetvete me qëllim që Shqipëria të përmbushë sipas planit të saj të aksionit listën e 12 prioriteteve kyçe. Komisioneri Fyle vlerësoi paktin e ofruar nga socialistët që, sipas tij, është një plan i mirë për nisjen e dialogut politik midis partive politike. “Mendoj se çfarëdolloj plani që do t’u mundësonte partive që të përcaktonin një terren të përbashkët për të ecur përpara, është një plan i mirë. A do të kisha dëshiruar që një propozim i tillë të vinte një vit më parë? Po. Por a do të thotë kjo se tashmë është tepër vonë? Jo, nuk do të thotë fare kështu”, u shpreh komisioneri Fyle. Zyrtari i lartë i Komisionit Europian sqaroi se u takon politikanëve shqiptarë që të kapërcejnë ngërçin aktual politik. “Jo shumë kohë më parë, dy ministra të Jashtëm europianë vizituan Tiranën. Dy ministra që përfaqësonin dy familjet më të mëdha politike në Parlamentin Europian. Pra, siç e shihni, ne punojmë bashkë, ne po mundohemi të integrojmë këtë lloj ndihme tonën dhe e gjitha kjo është e vendosur në tavolinë. Pra, u takon politikanëve në Shqipëri që ta përdorin këtë pasi të kenë vendosur se duan ta kapërcejnë ngërçin aktual politik”, tha Fyle.

© Panorama.al

Te lidhura