
Bashkimi Europian i refuzon për të dytën herë Shqipërisë dhënien e statusit të vendit kandidat. Ajo që ishte paralajmëruar prej kohësh, u konfirmua dje, ditën kur ishte parashikuar të publikohej progres-raporti. Në orën 12:30, komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, u paraqit në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian ku prezantoi paketën e zgjerimit. Sa i përket Shqipërisë, ai u shpreh se progresi i vendit mbeti peng i ngërçit politik dhe bojkotit të Kuvendit. “Do të kisha dashur të shikoja më shumë progres. Vitin e kaluar identifikuam 12 prioritete. Progresi është penguar nga ngërçi politik e bojkoti parlamentar, pavarësisht përpjekjeve tona për të mbështetur progresin. Kohët e fundit kemi pasur sinjale pozitive, se palët politike do të rrisin bashkëpunimin. Është urgjente të nisin dialogun e të mbajnë një nivel bashkëpunimi që do të lejonte progresin në BE”,- tha Fyle. Sipas tij, ka shumë arsye që Shqipëria nuk eci përpara që nga koha kur Komisioni Europian publikoi 12 rekomandimet për vendin tonë. “Ai është ngërçi politik. Ajo që nevojitet, është që qeveria të sigurojë kushte që procesi të jetë gjithëpërfshirës, që opozita të luajë një rol konstruktiv”,- nënvizoi Fyle, duke shprehur gatishmërinë e KE-së për të ndihmuar partitë politike që të tejkalojnë interesat personalë për të arritur progres, për realizimin e reformës elektorale, si dhe në zbatimin e 12 rekomandimeve të KE-së
Sinjalet pozitive
Pas mbledhjes në Parlamentin Europian, në orën 14:15, komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, doli para mediave për të prezantuar në vija të përgjithshme progres-raportin për tetë vende aspirante për t’u bërë anëtare të Bashkimit Europian. Ai iu referua zhvillimeve të fundit në vend, për të cilat tha se ka sinjale pozitive për rivendosjen e marrëdhënieve mes qeverisë dhe opozitës. “Në Shqipëri, progresi u dëmtua nga vazhdimi i ngërçit politik dhe zhvillimet e mëtejshme konfrontuese. Së fundmi, ka disa sinjale më pozitive, e se partitë politike duan të rivendosin marrëdhëniet. Kjo kërkohet në mënyrë urgjente, pra që partitë politike të vendosin dhe të ruajnë një nivel bashkëpunimi që do të mundësonte progres drejt Bashkimit Europian”, u shpreh Fyle. Komisioneri për Zgjerimin konfirmoi sërish qëndrimin e Brukselit për të ndihmuar forcat politike në vend për tejkalimin e kësaj situate. “Më lejoni të rifreskoj vendosmërinë e Komisionit e të Parlamentit Europian gjithashtu, për të ndihmuar të gjitha palët në Shqipëri që të kapërcejnë mosbesimin personal dhe që të hedhin bazat, në mënyrë që qeveria të jetë e aftë të krijojë mundësitë që procesi i integrimit europian të jetë gjithëpërfshirës, dhe për opozitën që të jetë një partner konstruktiv në këtë proces”, theksoi më tej zyrtari i lartë i Komisionit Europian.
Liria e shprehjes
“Liria e shprehjes vazhdon të respektohet në përgjithësi, megjithëse progresi në këtë fushë ka qenë shumë i limituar. Një zhvillim pozitiv është roli i gazetarisë investigative në zbulimin dhe denoncimin e korrupsionit”, thuhet në progres-raport. Ndërsa për luftën kundër terrorizmit të Shqipërisë, theksohet se “Ka pasur progres në luftën kundër terrorizmit. Në janar 2011 u bë anëtare e Iniciativës Rajonale për bashkëpunimin e policisë ndërkombëtare në luftën kundër terrorizmit. Përgatitjet në këtë fushë po avancojnë në mënyrë të moderuar”.
Ekonomia
Sipas raportit të Komisionit Europian, me gjithë vështirësitë në ekonominë globale, në Shqipëri treguesit janë pozitivë. “Progresi në reformat strukturale ka qenë i limituar. Në kontekstin e situatës ekonomike ende të vështirë të partnerëve tregtarë të Shqipërisë, rritja ekonomike e projektuar në program është nga ana optimiste. Me gjithë ambientin më të polarizuar politik, ka pasur marrëveshje të gjerë mbi gjërat kryesore të tregut ekonomik. Në përgjithësi, konsensusi mbi themelet e ekonomisë së orientuar nga tregu janë ruajtur”, thuhet në raport.
Pronat
Brukseli kritikon qeverinë shqiptare edhe për sa i përket çështjes së kthimit dhe kompensimit të pronave. “Të drejtat e pronës mbeten një çështje shumë shqetësuese. Ka pasur shumë pak progres të dukshëm në zhvillimin e një strategjie për reformën e pronës, e cila është një prioritet kryesor i Opinionit, ose për reformimin e strukturës institucionale dhe ligjore të rëndësishme. Koordinimi i strukturës në Ministrinë e Drejtësisë nuk është vendosur ende. Megjithëse është bërë progres, procesi i regjistrimit fillestar i pronës së patundshme nuk është përmbushur ende”.
21 janari
“Nuk është bërë asnjë progres në lidhje me pavarësinë e Gjyqësorit. Ka pasur shqetësime për shkak të ndërhyrjes dhe pengesës në hetimin e pavarur të Prokurorisë për akuza të mundshme kriminale në lidhje me ngjarjet e 21 janarit, nga të cilat humbën jetën katër demonstrues. Procesi i përcaktimit të anëtarëve në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese mbetet një çështje shqetësuese, sa i përket kohëzgjatjes dhe procesit, e mbi të gjitha në termat e rrezikut të politizimit. Neutraliteti dhe pavarësia e këtyre institucioneve ende nuk garantohen plotësisht”.
KE: “Ka disa qytetarë që kërkojnë azil”
Një pjesë e progres-raportit për vitin 2011 i referohet vendimit të vjetshëm të Komisionit Europian për heqjen e vizave me Shqipërinë. Sipas KE-së, vendi ynë nuk i ka plotësuar ende të gjitha kushtet. “Pak progres është bërë me politikën e vizave. Shqipëria vazhdon të aplikojë një marrëveshje të regjimit pa viza për qytetarët e disa vendeve jo anëtare të BE-së. Regjimi shqiptar i vizave nuk përputhet plotësisht me kërkesat e BE-së. Përgatitjet në këtë fushë duhet të vazhdojnë”. Sipas raportit, ka disa raste kur qytetarët kanë kërkuar azil në vendet e BE. “Vendimi i BE për të hequr vizat, u bazua në progresin substancial në fushën e Drejtësisë, lirisë, sigurisë dhe përmbushjes së disa kushteve specifike të vendosura në udhërrëfyes. Megjithatë, një numër relativisht i vogël azil- kërkuesish dhe emigrantësh të parregullt janë vënë re në zonën Schengen. Me qëllimin për të siguruar zbatimin në vazhdim të angazhimeve të ndërmarra, është vendosur një mekanizëm monitorimi pas liberalizimit të vizave”.
KE: Skena politike, një vit pezull
Ngërçi politik që prej vitit 2009, bojkoti i opozitës, ngjarjet e 21 janarit dhe zgjedhjet lokale të tetë majit janë faktorët kryesorë të mosmarrjes edhe këtë vit të statusit të vendit kandidat. Në një material prej 72 faqesh të publikuar në faqen e internetit të Komisionit Europian, menjëherë pas konferencës për shtyp të komisionerit Stefan Fyle, analizohet në mënyrë të detajuar situata politike dhe ekonomike në Shqipëri. Që në fillim të raportit thuhet se “Skena politike vendëse e Shqipërisë është dominuar nga një gjendje pezull politike e vazhdueshme dhe bojkoti i njëanshëm në Parlament nga opozita. Incidentet e dhunshme të 21 janarit 2011, të cilat çuan në vdekjen e 4 demonstruesve, e amplifikuan klimën e mosbesimit jo vetëm mes forcave politike, por edhe institucioneve shtetërore. Zgjedhjet lokale të 8 majit, si rezultat i numërimit të kundërshtueshëm të votave të hedhura gabim dhe rezultatit të kontestuar në Tiranë, e theksoi edhe më tej polarizimin mes shumicës qeverisëse dhe opozitës”. Sipas Komisionit, qeveria ka bërë disa përpjekje për të ecur përpara me axhendën e integrimit, teksa ka përgatitur një plan veprimi për plotësimin e 12 rekomandimeve.
Parlamenti
Sa i takon punës së Kuvendit, raporti vlerëson se është bërë progres modest. “Puna e Parlamentit vazhdoi të dëmtohet rëndë nga ngërçi politik mes shumicës dhe opozitës, mungesës së dialogut konstruktiv politik dhe rritjes së retorikave konfrontuese të nxitura nga ngjarjet e 21 janarit dhe rezultati i kundërshtueshëm i zgjedhjeve në Tiranë. Opozita e përfundoi bojkotin e saj të gjatë të Kuvendit më 5 shtator”, vlerëson raporti. Gjatë kësaj periudhe janë miratuar në Parlament rreth 100 ligje, por asnjëri prej tyre nuk është me 3/5 e votave. KE-ja i referohet gjithashtu një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila nxit Parlamentin dhe Presidentin të bashkëpunojnë sa i takon përzgjedhjes së anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë.
Qeveria
Në raport vlerësohet negativisht puna e qeverisjes lokale për mbledhjen e taksave. Për sa i përket shërbimit civil, vihet theksi në politizimin e emërimeve. Ndërkohë, raporti përmend gjithashtu moszgjedhjen edhe këtë vit të Avokatit të Popullit. “Nuk është bërë asnjë progres për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, një prioritet themelor i Opinionit, i cili ka mbetur pezull nga shkurti 2010. Për shkak të rëndësisë së këtij institucioni të pavarur, ekziston nevoja për një zgjedhje efektive, transparente dhe një proces jo i politizuar. Megjithëkëtë, institucioni ka provuar se është aktiv dhe u është përgjigjur çështjeve të hetimit”.
Gjyqësori
Në kapitullin e sistemit gjyqësor përmendet sërish heqja e imunitetit të gjyqtarëve. “Nuk është bërë progres në luftën kundër korrupsionit brenda Gjyqësorit. Një nga faktorët kryesorë që pengon hetimet mbi raste të mundshme korrupsioni në Gjyqësor, është imuniteti i plotë që gëzojnë gjyqtarët. Do të jetë e nevojshme të limitohet ose të hiqet imuniteti i gjyqtarëve, gjë që kërkon ndryshime në Kushtetutë. Kushtet e këqija të punës dhe pagat relativisht të ulëta të gjyqtarëve janë një faktor rreziku mbi korrupsionin në Gjyqësor”.
Meta-Prifti,e vetmja dosje e nivelit të lartë
“Në veçanti hetimi mbi rastet e korrupsionit të nivelit të lartë apo të mesëm është i rrallë. Prokurorja e Përgjithshme ka nisur një hetim mbi akuzat për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës kundër ish zv.krye-ministrit Ilir Meta, pas publikimit të një videoje të debatueshme. Si pasojë, kjo çoi edhe në ngritjen e akuzave të ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti. Çështja në lidhje me ish zv.krye-ministrin Meta është aktualisht e vetmja çështje e nivelit të lartë, e cila ka shkuar në Gjykatë”, thuhet në raportin e Komisionit Europian.
Progres-raporti i KE
Kriteri politik
. Skena politike vendëse e Shqipërisë është dominuar nga një gjendje pezull politike e vazhdueshme dhe bojkoti i njëanshëm në Parlament nga opozita. Ky bllokim daton që nga qershori 2009 pas zgjedhjeve të përgjithshme. Rezultati i atyre zgjedhjeve, të cilat u konsideruan nga OSBE/ODIHR se përmbushën pjesën më të madhe të standardeve ndërkombëtare, edhe pse të shënuara me probleme të vogla, u kontestuan nga PS.
. Incidentet e dhunshme të 21 janarit 2011, të cilat çuan në vdekjen e 4 demonstruesve, e amplifikuan klimën e mosbesimit jo vetëm mes forcave politike, por edhe institucioneve shtetërore. Zgjedhjet lokale të 8 majit, si rezultat i numërimit të kundërshtueshëm të votave të hedhura gabim dhe rezultatit të kontestuar në Tiranë, e theksoi edhe më tej polarizimin mes shumicës qeverisëse dhe opozitës. E gjithë kjo tërhoqi vëmendjen e reformave politike, shumë të nevojshme për në BE.
. Përkundër kësaj situate, qeveria ka bërë disa përpjekje për të ecur përpara me axhendën e integrimit në BE dhe në veçanti për të përgatitur një plan veprimi për të adresuar rekomandimet e 2010.
Parlamenti
. Progres modest u bë në organizimin e punës së Parlamentit. Kjo përfshin një numër të limituar amendamentesh në rregulloren e procedurave të Parlamentit, disa prej të cilave, si p.sh. kalimi i diskutimeve në kohën e lirë, në fund të seancës shënojnë përmirësim nga praktikat e kaluara.
. Puna e Parlamentit vazhdoi të dëmtohet rëndë nga ngërçi politik mes shumicës dhe opozitës, mungesës së dialogut konstruktiv politik dhe rritjes së retorikave konfrontuese, të nxitura nga ngjarjet e 21 janarit dhe rezultati i kundërshtueshëm i zgjedhjeve në Tiranë. Opozita e përfundoi bojkotin e saj të gjatë të Kuvendit më 5 shtator.
. Ministrja e dhe zv.ministrja e Integrimit kanë raportuar disa herë në Komisionin e Integrimit, gjë që nuk ka ndodhur më parë. Ende nuk është arritur marrëveshje mbi reformat themelore dhe masat për të adresuar prioritetet kyçe të Opinionit, të cilat ishin përfshirë në Opinionin e pas Planit të Veprimit.
. Në përgjithësi, funksionimi i vetë Parlamentit bazohet mbi një dialog politik të qëndrueshëm dhe konstruktiv mes të gjitha partive, që është prioriteti bazë i Opinionit dhe kjo nuk është siguruar.
. Gjatë periudhës së raportimit, Parlamenti ka miratuar më shumë se 100 ligje. Megjithatë, miratimi i disa ligjeve shumë të nevojshme kërkonte 3/5 e votave, që është një prioritet themelor i Opinionit dhe, aty ku nevojitet një konsensus mes shumicës dhe opozitës, ka mbetur ende pezull. Bashkëpunimi i limituar ose i shkëputur mes shumicës dhe opozitës në komisionet parlamentare, kufizimet e vazhdueshme mbi eksesin e ekspertizës së specializuar, me gjithë përmirësimet që janë bërë në disa raste për më tepër konsultimi i limituar me palët e treta, përfshi shoqërinë civile, ngre pikëpyetje mbi cilësinë e ligjeve të miratuara.
. Në qershor 2011, një vendim i Gjykatës Kushtetuese të kërkuar nga shumica qeverisëse doli në përfundimin se kriteri për emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë duhet të bëhej në bashkëpunim mes Presidentit dhe Parlamentit. Procesimi i dëgjimit dhe votimit për emërimet e propozuara nga Presidenti, i cili ka rimarrë punën pas një periudhe pezullimi, vazhdon të shënohet nga retorika konfrontuese dhe politizimi. Parlamenti ende nuk ka siguruar një proces të rregullt dëgjimi dhe votimi për emërimet në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, i cili është një prioritet themelor i Opinionit.
. Reforma zgjedhore është bllokuar nga ngërçi politik dhe mungesa e dialogut politik mes partive kryesore.
. Draftet legjislative në ministritë e linjës nevojitet të përmirësohen, duke forcuar punën përgatitore dhe me këshillimet e nevojshme. Procesi i konsultimit me shoqërinë civile dhe partnerë të tjerë duhet të forcohet më tej.
. Menaxhimi i taksave në qeverisjen lokale mbetet i dobët. Autoritetet lokale vazhdojnë të kenë mungesë të kapaciteteve administrative për të përmirësuar mbledhjen e të ardhurave, për të rritur autonominë e tyre fiskale.
. Shërbimi civil po vuan nga mungesa të rëndësishme, veçanërisht në lidhje me principin e meritës së procedurave të rekrutimit, kontratat e përkohshme, rregullat mbi promovimin, lëvizjet dhe shkarkimin e nëpunësve civilë. Funksioni i shërbimit civil vazhdon të vuajë nga politizimi, në veçanti në lidhje me emërimet. Zbatimi i urdhrit të Kryeministrit të tetorit 2010, që vendos një limit maksimal 2.5% të emërimeve të përkohshme në shërbimin civil, mbetet i dobët.
. Nuk është bërë asnjë progres për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, një prioritet themelor i Opinionit, i cili ka mbetur pezull nga shkurti 2010.
. Ka pasur progres të kufizuar në përmbushjen e strukturës ligjore për reformën e gjyqësorit. Nuk është bërë asnjë progres në lidhje me pavarësinë e gjyqësorit.
. Nuk është bërë progres në luftën kundër korrupsionit brenda Gjyqësorit. Një nga faktorët kryesorë që pengon hetimet mbi raste të mundshme korrupsioni në Gjyqësor, është imuniteti i plotë që gëzojnë gjyqtarët. Do të jetë e nevojshme të limitohet ose të hiqet imuniteti i gjyqtarëve, gjë që kërkon ndryshime në Kushtetutë. Kushtet e këqija të punës dhe pagat relativisht të ulëta të gjyqtarëve janë një faktor rreziku mbi korrupsionin në Gjyqësor.
. Imuniteti i plotë i zyrtarëve të lartë mbetet një pengesë e madhe për hetimin efektiv dhe të suksesshëm. Imuniteti i gjyqtarëve hiqet shumë rrallë dhe mungesa e konfidencialitetit në një çështje pas heqjes së imunitetit pengon hetimin efektiv. Pas një iniciative nga disa anëtarë të shumicës në Parlament, ministrat mund ta heqin imunitetin e tyre në rastet e hetimeve kriminale mbi çështje korrupsioni, duke nënshkruar vullnetarisht një deklaratë individuale në fillim të mandatit të tyre. Ndërkohë që kjo shpreh vullnet politik për të luftuar korrupsionin në nivel të lartë, vlefshmëria ligjore e këtyre deklaratave lë shumë pikëpyetje.
Kosova do nisë bisedimet për vizat
KE hap negociatat me Malin e Zi, i jepet statusi Serbisë

KE-ja vendosi dje të hapë negociatat me Malin e Zi, vend të cilin e vlerësoi për reformat e ndërmarra gjatë këtij viti. Në të njëjtën kohë u vendos dhënia e statusit të vendit kandidat për Serbinë, pas bashkëpunimit për dorëzimin e disa kriminelëve në Gjykatën e Hagës. Gazeta boton sot situatën për secilin vend, sipas asaj që deklaroi dje në PE, komisioneri Stefan Fyle.
Kroacia – Fuqia transformuese e procesit të zgjerimit të BE-së mund të shihet më dukshëm në Kroaci. Sot, Kroacia është shumë ndryshe nga vendi që aplikoi për hyrje në BE një dekadë më parë. Demokracia funksionon. Shpresoj që Parlamenti Europian të japë miratimin e tij për të lejuar nënshkrimin e marrëveshjes së anëtarësimit në dhjetor. Sigurisht Kroacia duhet të vazhdojë përgatitjet.
Mali i Zi – Ka punuar shumë. Kemi parë progres të vërtetë, përfshirë: reformën në Gjyqësor, rishikimin e ligjit elektoral, lirinë e medias, antidiskriminimin dhe luftën kundër korrupsionit e kundër krimit të organizuar. Prandaj, unë sot po propozoj të hapim negociatat e anëtarësimit me Malin e Zi. Mali i Zi duhet të ruajë vrullin e reformave dhe të konsolidojë progresin e tij.
Serbia – Mbi bazat e progresit të arritur në reforma, bashkëpunimin me Gjykatën Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, dhe pajtimin rajonal, unë rekomandoj t’i japin Serbisë statusin kandidat mbi mirëkuptimin se Serbia do të riangazhohet në dialogun me Kosovën dhe do të lëvizë me shpejtësi për zbatimin në mirëbesim të marrëveshjeve të arritura. Negociatat e hyrjes do të hapen, sapo Serbia të arrijë progres të mëtejshëm në përmbushjen e një prioriteti bazë: hapa të mëtejshëm për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën në përputhje me procesin e stabilizim-asociimit.
Islanda – Ka bërë progres të mirë në negociatat me Bashkimin Europian që nga fillimi. Unë kam besim se ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë edhe këtë vit. Brenda shoqërisë islandeze vazhdon të ketë këndvështrime ndryshe mbi perspektivën e anëtarësimit në BE. Unë inkurajoj të gjithë qytetarët islandezë të angazhohen në këtë debat, një debat të cilin ne do ta mbështesim aktivisht.
Turqia– Me ekonominë e saj dinamike dhe rolin e rëndësishëm rajonal, vazhdon të jetë një vend kryesor për BE-në. Unë jam i bindur se procesi i anëtarësimit mbetet mjeti më efektiv në kuadër të marrëdhënieve tona me Turqinë. Fatkeqësisht, negociatat për anëtarësimin nuk kanë ecur para prej më shumë se një viti. Ka zhgënjime me këtë nga të dyja palët.
Maqedonia – Në lidhje me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, në ruajmë rekomandimin tonë për të hapur negociatat e hyrjes. Duke hapur negociatat, do të përfitojë jo vetëm vendi dhe rajoni, por BE si e tërë. Nuk duhet humbur një tjetër vit.
Bosnje Hercegovina– Bllokimi politik dhe institucional ka vazhduar. Kjo ka parandaluar punën mbi agjendën e reformave, përfshirë ato që nevojiten për të sjellë vendin më afër me BE-në. Qeveria urgjentisht duhet të drejtojë përpara procesin e reformave, po ashtu edhe reformave kushtetuese. Për të avancuar drejt BE-së, vendi duhet të ndryshojë Kushtetutën.
Kosova – Në Kosovë, proceset e gjata elektorale tregojnë se progresi i arritur në axhendën e reformave ishte i limituar. Mbi vizat, një dialog do të lançohet në fund të vitit. Ne do të rishikojmë edhe Komunikatën e 2009 për të siguruar se Kosova mund të përfitojë më tej nga procesi i hyrjes në BE.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











