FUSHË KRUJË- Infrastrukturë evropiane, shkolla të reja, fusha sporti dhe investime në shumë sektorë të tjerë ka premtuar kryeministri Sali Berisha nga Fushë Kruja ku ishte për të prezantuar kandidatin e “Aleancës për qytetarin” Bilal Stafuka.
“Katër vitet që vijnë qeveria do të financojë çdo projekt të Bilal Stafukës, për asfaltimin e plotë të rrugëve dhe rrugicave, ngritjen e shkollave të reja, fushën e sportit. Fushë Kruja do të ketë Unazën e vet, si dhe do të ndërtojmë autostradën Fushë Krujë- Thumanë”- tha kryeministri.
Berisha garantoi qytetarët e Fushë Krujës, se në katër vitet e ardhshme infrastruktura e këtij qyteti do të jetë evropiane.
Ndërkohë, kreu i qeverisë duke iu drejtuar kreut socialist Edi Rama, tha se rruga e vetme që ka zgjedhur është rruga e përbaltjes.
“Edi Rama ka zgjedhur rrrugën e vetme, mendon se mund të përbaltë Sali Berishën. Gabon rëndë, se në atë rrugë dëshmon se do të përballtë çdo shqiptar, arritjet tuaja, gjithçka që ne kemi realizuar me mund dhe djersë”- tha ai.
© Panorama.al











