Komiteti Ekzekutiv ka ngritur një grup auditi për ish-arbitrin Bujar Pregja. “Nuk tërhiqem kurrë nga ato që kam thënë për delegatin”
Kjo është konfirmuar nga një deklaratë për shtyp e federatës, menjëherë pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv. Gjithçka ka ardhur pas denoncimit të aferave nga anëtari i KE-së, Alfred Ziaji, në një intervistë për “Panorama Sport”. Akuzat e Ziajit tronditën institucionin e futbollit dhe presidenti Duka njoftoi bashkëpuntorët e tij për një mbledhje e jashtëzakonshme. Ish-futbollisti i Flamurtarit rikonfirmoi akuzat ndaj Pregjës edhe në mbledhjen e djeshme. Ziaji ka qenë i vendosur për ato që ka shprehur publikisht në gazetë. Pas sqarimit të çështjes, ai ka kërkuar ngritjen e një auditimi të pavarur, për të hetuar të gjitha akuzat ndaj Pregjës. Kjo është miratuar unanimisht nga Komiteti Ekzekutiv.
Deklarata – Menjëherë pas diskutimit në Komitetin Ekzekutiv, Ziaji ka dalë para mediave. “Përveç pikave që ishin në programin e mbledhjes së sotme (djeshme) të Komitetit Ekzekutiv, u caktua edhe një pikë tjetër, teksa do të flitej për problemet e trajtuara nga unë si anëtar në gazetën ‘Panorama Sport’. Mbledhja ka qenë dashamirëse dhe u sqaruan akuzat e bëra në deklaratën time. Nisur nga ato që kam thënë, unë i sqarova kolegët në KE. Të gjitha çfarë kam thënë, si përshembull për Bujarin Pregjën, të cilin e kam cilësuar si plerë, janë të sakta. Kam argumentet e mia dhe nuk i tërhiqem asgjëje nga ato që kam deklaruar. I kam kërkuar FSHF-së auditimin e veprimtarisë së Pregjës dhe është marrë një vendim për këtë. Diskutuan të gjithë shokët dhe unë gjithashtu, duke sqaruar problemet e mia. E përsëris, nuk tërhiqem kurrë për ato që kam thënë për Pregjën dhe manipulimin që ai ka bërë te minifutbolli. Ky njeri më ka futur shumë miq për të qenë pjesë e shoqatës së minifutbollit, por s’kam pasur nevojë për të. Ai ka vjedhur aty dhe unë kam argumentet e mia me të gjitha faturat, të cilat do t’i vë në dispozicion të federatës. Sigurisht, auditimi do të konsistojë në këtë aspekt. Ky është një auditim i thjeshtë dhe pas sqarimit, atëherë ngelet për t’u parë çfarë do bëjë FSHF-ja me Pregjën, por jo me mua. Unë si anëtar i Komitetit Ekzekutiv kam të drejtën time të flas për të gjitha problemet, ashtu siç unë i mendoj”, ka thënë Ziaji.
Vendimi – Në deklaratën e djeshme për shtyp, në lidhje me çështjen “Ziaji”, institucioni i futbollit shqiptar sqaroi: “Lidhur me akuzat e anëtarit të KE-së në FSHF, zotit Alfred Ziaji, për një intervistë të tij në shtyp, është operuar në dy momente: Në fillim ka diskutuar vetë zoti Zijai, i cili ka mohuar të ketë akuzuar apo ofenduar njeri nga KE-ja apo punonjësit e Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërkohë që ka përsëritur me nënvizim akuzat në drejtim të zotit Bujar Pregja, të cilat për të mbetën të pandryshuara. Pas ketij momenti, Komiteti Ekzekutiv ka vendosur unanimisht që t’i drejtohet një auditi të pavarur, i cili do të hetojë mbi te gjitha akuzat e zotit Ziaji në adresë të zotit Pregja. Vërtetimi ose jo i tyre do të çojë në qëndrimin e KE-së, bazuar në statutin dhe rregulloret e FSHF-së”.
Debati Duka-Ziaji
Duka: Keni akuzuar në “Panorama Sport” arbitrat për trukime, ndaj ne si komitet kërkojmë shpjegime.
Ziaji: Atyre që kam thënë për Bujar Pregjën nuk u heq asnjë presje. Me atë person jam gati të ballafaqohem kudo, pasi kam fakte.
Duka: Nuk e kam fjalën për Pregjën, por ke thënë që ne jemi hajna…
Ziaji: Nuk e përdor një fjalë të tillë, por ndoshta këtu ka një keqkuptim. Gjithsesi, e mohoj që të kem përdorur një term të tillë.
Duka: Ju jeni anëtar i këtij komiteti dhe na ke quajtur plehra.
Ziaji: Nuk është e vërtetë. Jeni kuptuar gabim. Unë kam thënë “plehra”, por nuk ka qenë konteksti ndaj anëtarëve të komitetit. Këtu kam miq e shokë dhe nuk do t’ia lejoja vetes që të ofendoja, një si Mujo Targaj për shembull.
Duka: Ti thua që nuk ke ofenduar, por aty shkruaje që unë kam parë futboll për herë të parë në moshën 40-vjeçare. Ky nuk është ofendim?
Ziaji: Varet si e merrni ju, por kam thënë një të vërtetë, pasi ju në botën e futbollit në ato vite keni hyrë, pasi nuk keni qenë as futbollist dhe as nuk vinit nga bota e sportit.











