Tifozët e Kombëtares kanë reaguar më ashpër se kurrë pas përfundimit të ndeshjeve kualifikuese për EURO 2012. Sipas tyre, përgjegjëse kryesore për dështimin e disatë radhazi është Federata Shqiptare e Futbollit dhe drejtuesit e saj, të cilët edhe pse kanë shpenzuar miliona lekë për trajnerë, përsëri skuadra është në vend të parafundit. Sakaq, sipas tyre, fishekzjarrët dhe tymueset që u hodhën në fushën e lojës gjatë ndeshjes Shqipëri-Rumani, kanë pasur si qëllim edhe ndërprerjen e ndeshjes, kjo si formë proteste ndaj strategjisë (nëse ka një të tillë) që ka ndjekur gjatë gjithë këtyre viteve FSHF-ja. Ndërkohë, tifozët nuk lënë pa kritikuar edhe lojtarët e Kombëtares, të cilët sipas tyre nuk denjojnë as të këndojnë himnin e flamurit dhe jo më të përshëndesin publikun e tyre pas përfundimit të ndeshjes. “Tifozët Kuq e Zi dëshirojnë që zyrtarisht të informojnë opinionin publik me faktet e mëposhtme. Mund të kishim bërë analiza dhe përshkrime të gjata për këto eliminatore, por në këto momente është e rëndësishme që të gjithë të kemi parasysh faktet, dhe të tjerat janë pallavra. Protestuam për rezultatet skandaloze prej të paktën tre eliminatoresh, për trajtimin armiqësor prej disa ndeshjesh nga policia dhe më e rëndësishmja, kundër përdhosjes që u bëhet simboleve të shenjta kombëtare! Prej dhjetëra vitesh, vazhdojmë të qëndrojmë në vend të fundit ose të parafundit në grup. Në futboll, tifozët janë opozita e vetme. Të gjithë të tjerët ‘hanë bukë diku'”, thuhet në deklaratë. Më pas, tifozët “kapen” me trajnerin dhe me vetë futbollistët, duke kërkuar më shumë sidomos nga këta të fundit, aq sa shkojnë deri në kërcënime për bojkot. “Filmi qesharak i largimit të trajnerëve përsëritet gjatë të paktën 3 kualifikimeve të fundit. Ju kujtohet Bariç, Briegel, Han etj.? Ne mbështesim Kuzhen të vazhdojë punën si trajner. Publikisht këtë e kanë kërkuar dhe shumica e lojtarëve. Për sa u përket këtyre të fundit, prej kohësh kërkojmë prej tyre: Të këndojnë himnin me dorë në zemër (ka pak përmirësim), të përshëndesin tifozët nga afër në fund të ndeshjes dhe të luajnë gjithmonë me zemër, në të kundërt, nuk i tolerojmë më. Sakaq, mbi 10 talentë të rinj janë pajisur me pasaporta, por ata janë zbuluar nga “Tifozët Kuq e Zi”, ndërsa trajneri i shpresave, mund të konsiderohet një dështim i plotë”, vazhdon deklarata.











