
FIER – Banorët e fshatit Ndërmenas bllokuan dje për rreth dy orë aksin Fier-Seman, në shenjë proteste për shkak të mungesës së energjisë elektrike prej 10 ditësh. Ndërkaq, “CEZ Shpërndarje” reagoi dje, sipas së cilës, banorët e këtij fshati ishin debitorë në 99 për qind të familjeve.
Është dashur ndërhyrja e policisë, gjë që u shoqërua dhe me përplasje mes forcave të rendit e banorëve, për shkak se këta të fundit krijuan një situatë kaotike në rrugë. Vargu i mjeteve që mbetën në vend vetëm sa shtohej për shkak se kjo rrugë të çon edhe në bregdet dhe pushues të shumtë ishin nisur për në plazhin e Semanit. Veç udhëtarëve e pushuesve, në vargun e mjeteve që kanë pritur për 2 orë ishte edhe kortezhi i disa mjeteve që po përcillnin për në banesën e fundit një person të vdekur. Pikërisht irritimi i udhëtarëve dhe kortezhit që ishin nisur për në varreza, ka bërë që policia e Fierit të mbërrinte në vendin ku banorët kishin vendosur sende të ndryshme për bllokimin e rrugës, para të cilave qëndronin edhe vetë. Ndërhyrja e policisë gjeti fillimisht kundërshtimin e banorëve, të cilët tentuan të bëjnë rezistencë duke kërkuar më parë që “CEZ Shpërndarje” t’u rikthente dritat e më pas ata të zhbllokonin rrugën. Por, pas negociatave të vazhdueshme, banorët janë bindur për të liruar rrugën, ndërsa i kanë bërë thirrje CEZ-it të reagojnë për sjelljen e dritave. Në fakt, protestuesit e djeshëm kanë pretenduar se prej 10 ditësh nuk kanë energji elektrike për shkak të djegies së transformatorit. Sipas tyre, CEZ-i nuk kishte ndërhyrë për zëvendësimin e saj. Por, nga ana tjetër, përfaqësues të kompanisë u shprehën dje se nga 107 familje që ka ky fshat, 106 prej tyre nuk kanë shlyer detyrimet ndaj kompanisë. Pra vetëm një familje rezulton të jetë paguese e rregullt e energjisë. Me gjithë situatën e krijuar dje, banorët paralajmëruan se do ta përshkallëzojnë protestën nëse nuk do të merren masa. Ata pohuan se do të bllokojnë sërish rrugën që të çon në plazh, duke paralizuar kështu qindra pushues të saj. Me gjithë situatën e krijuar, policia e Fierit ndërhyri pa shkaktuar incidente dhe nuk shoqëroi asnjërin prej banorëve. m.r
CEZ: 99 për qind, debitorë
Pas protestës së djeshme në Ndërmenas, reagoi “CEZ Shpërndarje”, e cila theksoi se siguron energji vetëm ndaj atyre klientëve që e paguajnë atë. Sipas njoftimit zyrtar të kësaj kompanie, banorët e fshatit ku u zhvillua protesta nuk paguajnë në masën 99 për qind. “Numri i klientëve në Ndërmenas është 107, ndërsa numri i debitorëve 106, pra 99 për qind janë debitorë”, thuhej në njoftimin e CEZ-it. Sipas këtij njoftimi, debia principale (pa gjoba) është 8 milionë lekë, debia kamatë 7.1 milionë lekë. Në total: 15.1 milionë lekë. “CEZ Shpërndarje rikujton se punon për t’u siguruar energji vetëm atyre klientëve që e paguajnë atë”, citohej në deklaratën e shpërndarë pas protestës së zhvilluar dje, ku banorët e fshatit Ndërmenas bllokuan rrugën duke kërkuar rikthimin e energjisë elektrike.











