Gara për titullin kam pion në Serie A po hyn në një fazë vendimtare dhe java e fundit ka dhënë sinjale të qarta për ekuilibrat në krye të renditjes. Napoli u ndal në shtëpi ndaj Veronës, duke humbur ritmin në një moment kyç të sezonit, ndërsa Interi shfrytëzoi rastin për të ruajtur vendin e parë dhe për t’i dhënë garës për Skudeto një nuancë gjithnjë e më zikaltër.

Skuadra e drejtuar nga Antonio Konte nuk arriti të shkonte përtej barazimit, në një ndeshje ku vështirësitë u shfaqën sidomos në fazën sulmuese. Napoli pati vështirësi në ndërtimin e aksioneve dhe në krijimin e rasteve të pastra për gol, përballë një kundërshtari të organizuar dhe agresiv. Edhe pse rezultati nuk ishte ai i dëshiruar, napolitanët treguan karakter duke mos u dorëzuar deri në fund. Barazimi, megjithatë, lë shije të hidhur, sepse humbja e dy pikëve mund të peshojë rëndë në një kampionat kaq të balancuar.
Konte pret rikuperimin e disa lojtarëve kyç për sfidën direkte, me shpresën se në përballjen e radhës skuadra do të shfaqet më e freskët dhe më konkrete. Nga ana tjetër, Interi bëri detyrën e vet, duke fituar një ndeshje të vështirë në transfertë. Nuk ishte një paraqitje spektakolare, por mjaftoi për të marrë tre pikë të arta dhe për të ruajtur kreun e renditjes. Zikaltrit treguan pjekuri dhe pragmatizëm, duke menaxhuar rezultatin dhe momentet e lojës. Trajneri i Interit kreu një mini rrotacion teksa la pushim disa lojtarë titullarë, por skuadra nuk e humbi ekuilibrin.
Alternativat në stol dhe cilësia në repartet kryesore i lejojnë Interit të përballojë presionin dhe të shohë me optimizëm ndeshjet e ardhshme. Në klasifikim, distancat mbeten të vogla, por momenti duket në anën e Interit. Përballja direkte me Napolin pritet të jetë një pikë kthese për fatin e titullit. Beteja për trikolorin e famshëm është ende i hapur, por java pas jave, kjo garë po merr gjithnjë e më shumë ngjyrë zikaltër.
IGLI ÇUTRA-PANORAMASPORT.AL
© Panorama.al











