Frederick Turner: Shqipërinë e kam shumë afër zemrës

Oct 3, 2011 | 12:07

Poeti Frederick Turner

Nuk ka kaluar shumë, kur poeti amerikan Frederick Turner vizitoi Shqipërinë e më pas Kosovën. Pas një distance kohore, ai tregon përshtypjet që i kanë lënë territoret shqiptare, njëra pjesë 20 vjet pas diktaturës dhe tjetra, 10 vjet pas luftës. Turner flet për poezinë, përkthimin, Eposin e Kreshnikëve dhe përvojën shqiptare.

Z. Turner, kohë më parë ju ishit në vendin tim. Tani nga kjo distancë kohore a mund të na flisni për përshtypjet tuaja, për udhëtimin tuaj të fundit në Shqipëri dhe në Kosovë?
Si një pasardhës i poetëve romantikë anglezë, jam magjepsur, natyrisht, me bukurinë mahnitëse të peizazhit, veçanërisht të Malësisë së Madhe dhe të brendësisë së lëndinave të Kosovës dhe maleve të saj me kreshta marramendëse. Edhe dy përshtypje të tjera: zemërbardhësia miqësore e njerëzve dhe ai soj besimi atdhetar që i qëndron kohës, flet për një idealizëm antik dhe një fisnikëri të dukshme. Kishte një vitalitet të madh ekonomik. Pashë ndërtime pallatesh gjithandej, modernizim të shpejtë, energji: progres, me të gjitha shpërthimet e mënyrës antike të peizazhit për një ecje përpara të pandalshme. Shpresoj që ai progres të mos e thartojë atë besim dhe zemërhapje (megjithëse shpresoj që njëkohësisht të ndihmojë në shuarjen e urrejtjes së moçme etnike që shpesh shkon paralel me miqësinë në komunitetet e vogla).
Ndoshta unë isha ndër njerëzit më të emocionuar (pasi jetoj larg vendit tim), ndoshta pse pata rastin t’ju takoj edhe në Tiranë e në Prishtinë, pas takimit të para dy vitesh në Dallas. Më intereson të di si e keni ndier veten në vendin tim, veçmas në Kosovën e shkatërruar nga lufta?
E ndjeva se ka ende çështje të papërfunduara në Kosovë (dhe në një shkallë më të vogël në Mal të Zi): e kam fjalën për një lloj të menduari etnik që nuk është racional. Qe vërtet një freski e këndshme që u gjenda në Tiranë gjatë zierjeve të zgjedhjeve vendore: qenë zgjedhje të një modeli të vjetër dhe të mirë të politikës demokratike, me të gjitha luhatjet e interesave  ekonomikë, politikave të papastra, akuzimeve për korrupsion, retorikave të ashpra, përpjekjeve për të gjetur dhe ekspozuar skandale, manovrimeve, zhurmave, strategji të fushatave, dhe nganjëherë të akumulimit të sinqeritetit të vërtetë—tamam si në Amerikë. Ajo lloj rryme është një shenjë që tregon se sistemi është i shëndoshë dhe, duke punuar ashtu siç duhet për t’i përmbajtur politikanët që të mos bëhen më tepër se sa duhet të fuqishëm, të pandërgjegjshëm dhe të fshehtë. Ajo që nuk dëgjova, dhe kjo është pjesë e freskisë, ishte mungesa e nynykatjeve të pista etnike apo fetare, e atyre lloj nynykatjesh që çojnë drejt spastrimit etnik apo xhihadit.
Por kur pashë shenjat rrugore në gjuhën serbo-kroate të shkarravitura dhe valëvitjet agresive të flamujve shqiptarë në Kosovë, e ndjeva mundësinë e justifikimit të hidhur (por të rrezikshëm dhe të padobishëm) të njerëzve që nuk u janë shëruar ende plagët. Dhe, një herë tjetër në Mal të Zi, tek po kalonim para një xhamie të madhe, pyeta një malazez shumë të mirë që e kisha të njohur, se si ia kalonin me komshinjtë myslimanë, dhe përgjigjja qe: “Shumë mirë. Ne nuk merremi me ta e ata nuk merren me ne”. Ajo është një konditë që mua më duket e rrezikshme: Është më e mirë se konflikti, por është ndoshta edhe shtegu për tek ai, kur kushtet ekonomike keqësohen. Poezia, mendoj, mund të jetë njëra prej rrugëve ku njerëzit mund të mësojnë të flasin me njëri-tjetrin përtej pasioneve imediate të zisë, paragjykimit, hakmarrjes dhe dyshimeve.
Z. Turner, ne e themi, por edhe ju vetë e ndieni se ju jeni një emër i madh dhe me ndikim jo vetëm në letërsinë anglo-amerikane, por edhe më tej. Si e përjeton një autor famën e tij dhe si duhet ta përdorë ndikimin e tij?
Unë vërtet nuk besoj në famën time. Po ta krahasojmë me, thuaj, Lady Gaga apo Silvio Berlusconi, jam një “askush” absolut. Përveçse ndër njerëzit që e duan poezinë, ndoshta—këta soj njerëzish janë me kohë bashkudhëtarët e mi, miqtë e mi, me tepër sesa lexuesit e mi. Kur është fjala për disa njerëz që ndihen të yjëzuar rreth meje, mendoj se është një reflektim i pavetëdijshëm i potencialit të tyre të brendshëm më shumë se gjithçka tjetër. Një poet nuk mund të ngjallë diçka që nuk ka qenë më parë aty, në ëndrrat, dëshirat, mendimet e brendshme, imagjinatën dhe impulset shpirtërore të lexuesit. Është si rasti kur një studente mund të bjerë në dashuri me profesorin e saj: ajo është vërtet në dashuri me vetëdijen e saj dhe ajo dashuri duhet të kthehet në një punë të dobishme. Ajo që dua të them, është se shpresoj që lexuesit e mi ta duan krijimtarinë time dhe të ushqehen prej saj: por nuk kanë pse të më duan mua. Në nivelin praktik, të jesh i mirënjohur, është shumë e dobishme për një shkrimtar. Ai (apo ajo) mund t’i japin një shtytje karrierës së talenteve të reja premtuese apo të shkëputet nga shkrimtarët e vjetër. Botuesit janë më të gatshëm të botojnë veprat e një autori të njohur, sepse materialet janë më të shpejta dhe më të lehta për botim. Lexuesit janë më të gatshëm t’i japin një vepre një shikim të dytë, nëse në shikimin e parë janë bymyer apo frymëzuar nga idetë e reja apo nga format e panjohura dhe të atyre që gjenden jashtë modës. Dhe, nëse fama e vogël e një shkrimtari mund të shtojë peshë te përmbajtja morale dhe etike e një vepre—tek humanizmi i saj, arsyet, humori i mirë, ndjenjat, dashamirësia, realizimi, dashuria—atëherë aq më mirë.
Ju, së pari keni ardhur në shqip përmes përkthimit të shkëlqyer të Gjekë Marinajt. Pastaj, i shoqëruar nga ai (student, e më pas edhe koleg juaji), keni prekur edhe tokën tonë në hapësirën ballkanike. Çfarë do na sugjeroni ne shqiptarëve për këtë mik e koleg tuajin, përkatësisht për birin tonë?
Shqipëria duhet—siç është duke bërë—ta celebrojë këtë bir të vërtetë dhe të devotshëm të poezisë së traditës së saj. Nëse kam ndonjë këshillë të jap, është t’i lejoni kohën dhe hapësirën e duhur që ai të krijojë poezi. Faji më i madh i tij, nëse mund të quhet faj, është një fisnikëri e paparë, një çiltërsi shpirtërore që do ndërmarrë dhe do nderojë obligimet e poezisë në përgjithësi, madje edhe në dëm të energjisë kreative, paqes së mendjes dhe privatësisë së tij. Celebrojeni dhe nderojeni Gjekën, i cili është një poet prej flakësh, gjaku dhe ndjenjash të holla, por mos e mbingarkoni me gjëra të vogla që të ëndërrojë dhe të jetojë aq njerëzor saç është.
Cili është roli i një përkthyesi si ndërmjetësues i kulturave?
Ndonëse natyrisht nuk mund ta shijoj plotësisht arritjen e jashtëzakonshme të dhënies së botës sime poetike në mënyrën më perfekte tek gjuha juaj e bukur, i kam dëgjuar përkthimet e Gjekës të recitohen dhe (ndonëse duke kuptuar vetëm disa fjalë) kam arritur ta njoh mjeshtërinë, kadencën  dhe elegancën e përkthimit të tyre. Përkthyesi i mirë është një nga figurat më të rëndësishme të botës, duke sprapsur dhe zbutur tragjedinë e shamatës dhe duke endur së bashku krijesat tona të thyera e të vetarmiqësuara. Ai është paqembajtës në kuptimin më të thellë, i quajtur vërtet një njeri i krijuar nga vetë Zoti. Kur përktheja poezi hungareze me kolegen time Zsuzsanna Ozsvath, arritëm në mendimin se përkthimi nuk është transferimi i domethënies nga një botë linguistike në tjetrën, por një farë udhëtimi drejt nën-botës së eksperiencës njerëzore. Pra, ishte rigjetja e shtigjeve të psikologjisë dhe evolucionit nga poezia origjinale për tek a pathëna, ndjenja e përvojës së poetit, në gjuhën e pafjalë të krijesave humane, edhe pastaj nga ajo përvojë rikrijimi e poezisë në anglisht. Drejtuesi te ky shtegtim — si i Dantes dhe Virgjilit apo Beatriçes — ishte muzika e metrikës poetike dhe rima.
Ju jeni gjithashtu edhe njohës i Eposit të pasur të Veriut shqiptar, ç’mund të bëjmë për t’i ruajtur këto vlera?
Studimet e mia të poezisë së disa vendeve të vogla më kanë bindur se nuk është se vendet e ruajnë poezinë, por poezia i ruan shtetet, duke ruajtur vitalitetin e gjuhës. Unë besoj se poezia epike e Shqipërisë ka mbijetuar prej qindra në mos mijëra vjetësh, pavarësisht pushtimeve, qeverisjeve të huaja, ndryshimit dominues të fesë,  luftërave, modernizimit e tiranisë dhe e ka mbajtur Shqipërinë të gjallë, ndaj nuk do vdesin lehtë. Poezia ka mbijetuar në sajë të muzikës së saj, vizionit të freskët dhe të madh të botës, mençurisë dhe humorit ngjitës. Përkthyesit tanë, shpresojmë, janë një zgjatje e mëtejshme drejt një gjuhe tjetër, me një potencial më të madh audience. Në shumë kultura, poezia gojore mbijetoi peripecitë e historisë duke u shkruar, në veprat si ato të Iliadës, Haikut të Japonisë, Mahabharata-së së Indisë dhe poezisë së vjetër të Gilgameshit. Këshilla ime do të ishte të mbledhim, botojmë dhe të përkthejmë poezinë e vjetër gojore, të shpalosim vlerat e saj dhe t’i përhapim tek të rinjtë nëpër shkolla. Cilësia akoma mund të njihet, po të sillet me vëmendje dhe përqendrim. Komuniteti poetik tani po shtrihet në gjithë botën, dhe sigurisht që ka plot hapësirë për muzën shqiptare që të gjejnë të devotshmit e saj.
Së pari, vizituat Shqipërinë, që ende vuan nga dhimbjet e mentalitetit komunist, e më pas Kosovën që ende vuan nga dhimbjet e luftës, çfarë duhet të bëjë një vend për të qenë në rrjedhat e shoqërisë konkurruese europiane?
Vendet e avancuara europiane kanë problemet e tyre: lodhjen e mbirafinimit dhe të mbispecializimit të traditave akademike dhe artistike; një humbje të vetëbesimit dhe të shpresës kulturore; ndarjet ekonomike dhe sociale në vakumin e botës pa objektiva dhe qëllime të përgjithshme, ambiente natyrale që ndoshta janë të pastudiuara sa duhet, dhe një sensacion kaleidoskopik vëmendje-prishës mediatik. Europa Perëndimore është e etur për njëfarë freskie të origjinalitetit tradicional, që është aq i dukshëm në Shqipëri dhe Kosovë. Pikërisht për këtë, turistët perëndimorë shpejt do të shtrihen në krahinat malësore, në kërkim të një diçkaje që mungon në jetën e tyre. Është më e mençur për ta të provojnë të fitojnë zemrën e Europës, sesa të provojnë të luajnë lojën e tyre, tashmë të dalë boje. Këshilla ime është ta ushqeni traditën, artin tuaj dhe peizazhin madhështor, tek ecni përpara në progresin tuaj teknologjik dhe ekonomik. Dhe, që të tërhiqni më të mirën e perëndimit, vazhdoni të mirëprisni edhe më tej barrierat kulturore të Perëndimit, pastaj të pasurit, politikanët dhe turistët. Lejoni marrëdhëniet të jenë të shkëmbimit kulturor më tepër se të shërbimeve ndaj turistëve apo imitimeve të të plotfuqishmëve. Kosova dhe Shqipëria janë lënduar, siç thua ti; por janë lënduar gjatë përpjekjes për të ruajtur vlerat që janë në teh të progresit human—të hedhjes poshtë të opresionit totalitarist, duke sjellë paqe dhe drejtësi te grindjet etnike dhe urrejtja. Këto përpjekje i japin dinjitetin e vet autencitetit të vet dhe mund të fitojë respektin e botës.
Do ktheheni sërish në Shqipëri?
Shqipërinë e kam shumë afër zemrës. Nëse shëndeti dhe puna më lejojnë, do të jem në vëzhgim të mundësive të përshtatshme të vij edhe një herë e të pi me ty edhe një tjetër gotë të përflakur rakie.

SHEFQET DIBRANI

© Panorama.al

Te lidhura