Franca po ndërmerr një ndryshim historik në përkufizimin penal të përdhunimit dhe sulmit seksual, pasi pas një procesi të gjatë parlamentar, Asambleja Kombëtare miratoi të enjten futjen e konceptit të pëlqimit (“consentement”) në nenin përkatës të Kodit Penal francez.
Deri më sot, ligji përcaktonte se një sulm seksual ndodh vetëm kur kryhet me dhunë, detyrim, kërcënim ose befasi.
Sipas riformulimit të miratuar, çdo akt seksual i kryer pa pëlqimin e palës tjetër do të konsiderohet sulm seksual, ndërsa përcaktohet se pëlqimi duhet të jetë i dhënë paraprakisht, të jetë i lirë, i qartë, specifik dhe i kthyeshëm.
Po ashtu, theksohet se vlerësimi i pëlqimit do të bëhet në bazë të rrethanave konkrete, dhe se heshtja apo mungesa e reagimit të viktimës nuk mund të interpretohet si pëlqim.
Rregullimi i ri ligjor u miratua me shumicë të madhe votash, ndërsa deputetët e ekstremit të djathtë votuan kundër.
Projektligji pritet të ratifikohet përfundimisht në Senat më 29 tetor, duke shënuar një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave të viktimave të dhunës seksuale në Francë.
© Panorama.al












