Fqinja e Kadaresë: Asnjë centimetër s’do prishet nga shtëpia

Apr 2, 2011 | 10:43
Floreta Rrapo

Një ditë pasi kreu i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, bëri të ditur se do të dëmshpërblejë familjen Rrapo për prishjen e ndërtesës përbri banesës së Kadaresë, ka reaguar njëra prej pjesëtarëve të familjes në fjalë. Floreta Rrapo, 56 vjeçe, ka shprehur objeksionet e veta në emër të saj dhe të familjes që jeton në këtë banesë, ndaj deklaratave të kryebashkiakut gjirokastrit. Sipas saj, asnjë centimetër nga ndërtesa që pretendohet të prishet dhe të dëmshpërblehet, nuk do të cenohet dhe kjo, pasi ndërtesa është pjesë e kompleksit që mban emrin e Kako Pinos, personazh i romanit të Ismail Kadaresë, “Kronikë në gur”. Për gazetën “Panorama”, Violeta Rrapo ka pranuar të sqarojë sesi qëndron fakti në realitet, larg deklaratave që dëmtojnë vetë familjen Rrapo.
Cilat janë pretendimet tuaja rreth projektit rehabilitues të banesës së Kadaresë?
Dëshiroj të pohoj se nuk jemi ne, familja Rrapo, pengesë për ndërprerjen e punimeve në shtëpinë e Kadaresë, por vetë strukturat e shtetit, të cilat nën emrin e këtij shkrimtari, kanë bërë një projekt që cenon rregullat e urbanistikës si dhe më e rëndësishmja, cenon pronën tonë. Si pronare e ligjshme e banesës, dua të them se punimet në shtëpinë e Kadaresë krijojnë kontakte të drejtpërdrejta dhe ndërhyrje në shtëpinë tonë dhe për këtë, nuk është marrë edhe mendimi nga ne, siç është rregulli urbanistik. Për sa i përket kubesë që pretendohet të ngrihet dhe që është në projekt për t’u qasur me banesën tonë, dua të them se një pjesë e saj mbështetet në murin e banesës sonë, ndërsa dhomat që do të ngrihen mbi kube ku nuk kanë ekzistuar më parë, do të zvogëlojë së tepërmi hapësirën dhe rrjedhimisht bën të pabanueshme shtëpinë tonë.
Çfarë kërkoni ju nga strukturat shtetërore?
Respektimin e ligjeve asgjë më tepër. Projekti i shtëpisë së Kadaresë, dëmton banesën tonë ku jetojnë njerëz. Kërkojmë ndryshimin e projektit dhe shtëpia jonë mos të preket fare. Nuk kemi ndërmend as ta shesim, dhe as të dëmshpërblehet siç u tha nga kryebashkiaku Bime ditën e djeshme. Mundësitë për të gjetur gjuhën e përbashkët ekzistojnë dhe kjo çështje mundet të zgjidhet fare mirë. Nëse nuk do të ndërhyhet nga strukturat e shtetit, atëherë ne do t’i drejtohemi gjykatës, pasi disponojmë të gjithë dokumentacionin që legjitimon sipërfaqen e shtëpisë në të gjithë hapësirën e vet.
Të cilës periudhë janë dokumentet e pronësisë?

Shtëpia e Rrapos dhe Kadaresë (djathtas)

Banesa ka qenë e Kako Pinos dhe i ati im e pleqëroi sepse ishte nip i saj dhe në fund ajo ia kaloi në pronësi babait tim, për këtë ekzistojnë dhe tapitë përkatëse, tapi këto që i trashëgojmë ne bijtë dhe bijat e tij. Banesa ka tapinë që në kohën e periudhës osmane, në vitin 1860 kur dhe janë hedhur themelet e saj. Ne i disponojmë të gjitha ato dhe do t’i nxjerrim në rast nevoje. Kundërshtoj me forcë deklaratën e zotit Bime që do të dëmshpërblehemi për ndërtimin që do të preket. Nuk dëshirojmë të dëmshpërblehemi sepse banesa jonë ka qenë më e vjetër se ajo e Kadaresë dhe për këtë ekzistojnë dokumente.
Kur ka pësuar ndryshime struktura e banesës së Kadaresë me tuajën, meqenëse janë pranë njëra-tjetrës?
Në vitin 1960, kubeja e dikurshme që ishte në limitet e shtëpisë sonë, ra dhe dëmtoi pjesën e banesës sonë, pasi ra nga krahu ynë. Shtatë vite më vonë, shteti i atëhershëm, rehabilitoi banesën tonë pasi u dëmtua nga rënia e kubesë dhe nga shtëpia e dikurshme, lartësia e shtëpisë është ulur deri në 1.5 metra.

 

GJIROKASTER/ PIRO NASE

© Panorama.al

Te lidhura