FOTO/ Vrasja e Gilmando Danit, në makinë e djegur të atentatorëve gjenden 3 kallashnikovë dhe 1 pistoletë! Mjeti i “shënjestrës” merret për ekspertizë

Nov 11, 2025 | 19:03

Zbardhen detaje të reja nga atentati mafioz i ndodhur pasditen e sotme pranë zonës së Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos rëndë Muçi Shaljani Sheqeri, punonjës i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP).

Gilmando Dani makina

Pak orë pas ngjarjes, forcat e policisë kanë gjetur të djegur në një përrua pranë aksit Fushë-Krujë – Krujë, midis fshatrave Halil dhe Zallë, automjetin që dyshohet se është përdorur nga autorët e atentatit.

Brenda makinës së shkrumbuar janë gjetur tre armë tip kallashnikov dhe një pistoletë, që mendohet se janë përdorur në ngjarje nga autorët, të cilët ende nuk janë identifikuar.

Mjeti i djegur i autorëve
Mjeti i djegur i autorëve

Sipas burimeve, zona ku u gjet automjeti është shumë e vështirë për t’u arritur me mjet, pasi ndodhet në një terren të thepisur, shteg këmbësorësh dhe kullotash, e aksesueshme vetëm në këmbë.

Policia ka ngritur pika kontrolli në disa akse rrugore përreth dhe po punon për identifikimin e autorëve. Grupi hetimor po analizon pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, ndërsa armët e gjetura janë dërguar për ekspertizë.

DINAMIKA E NGJARJES

Gazetarja Xhensila Kodra ka zbardhur dinamikën e ngjarjes. Ajo raporton se autorët kanë pritur automjetin tip “Benz” me të cilin udhëtonin Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani Sheqeri.

Dy makinat kanë lëvizur për disa metra paralelisht me njëra-tjetrën, dhe në atë moment, nga automjeti i autorëve është hapur zjarr me breshëri automatiku në drejtim të targetit.

Mjeti i viktimave ka ecur për pak metra pas të shtënave, derisa është ndalur plotësisht.

Në atë moment, sipas dëshmive dhe kamerave të sigurisë, një nga autorët, i veshur me kapele dhe i maskuar, ka dalë nga makina dhe është afruar drejt automjetit të Danit, duke qëlluar disa herë me pistoletë për t’u siguruar që e kishte eliminuar shënjestrën.

Muçi Shaljani Sheqeri
Muçi Shaljani Sheqeri

Shaljari ka një plagë plumbi në kokë dhe gjendja e tij është kritike, teksa mjekët po bëjnë përpjekje për ta mbajtur në jetë.

Po hetohet gjithashtu nëse autorët kanë pasur informacione të detajuara për itinerarin e shënjestrave dhe kush ua ka ‘servirur’ ato.

Po kush është Gilmando Dani?

Dani ka qenë një nga emrat më të përfolur të botës së krimit, që vepronte për llogari të Emiliano Shullazit.

“Disa vite më parë është dënuar nga Gjykata për Krime të Rënda si pjesë e një grupi që vinte gjoba biznesmenëve në Tiranë, grup i cili drejtohej nga Emiliano Shullazi”, tha gazetarja Klodiana Lala.

Gilmando Dani la qelinë e burgut rreth një vit e gjysmë më parë, pasi shleu të gjithë dënimin në lidhje me pjesëmarrjen në këtë grup të strukturuar kriminal.

Po ashtu, gazetarja Lala tha se “Që nga koha kur Emiljano Shullazi ndodhet në burg, mësohet se Gilmando Dani kishte marrë drejtimin e grupit kriminal”.

Ndaj Danit është bërë atentat dhe dy herë më parë, por mbeti i plagosur. Ngjarjet ndodhën në vitet 2011 dhe në 2015.

Gilmando Dani u dënua me 12 vite burg në nëntor të vitit 2018 si pjesë e grupit të Shullazit për akuzat e gjobëvënies dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal. Ai u lirua ne 6 tetor 2024.

© Panorama.al

Te lidhura