
Shqipëria duhet të hartojë buxhete më realiste dhe jo të fryjë shifrat për parashikime më optimiste se ç’duhen. Raporti i fundit i FMN-së, i cili nxjerr në pah gjithë këshillat pas vizitës së fundit të misionit, i kujton qeverisë se në të kaluarën buxhetet nuk kanë qenë realistë, dhe kjo ka kërkuar ndërhyrje të shpeshta. Këshilla e FMN-së vjen në të njëjtën kohë kur buxheti i vitit të ardhshëm 2012 është duke marrë formën e fundit dhe gati të diskutohet. Një vërejtje të tillë lidhur me kujdesin e hartimit të buxhetit e bëri edhe vetë shefi i misionit të FMN-së, Gerwin Bell, gjatë vizitës së tij të fundit. “Stafi i FMN-së sugjeroi përmirësime në procesin e hartimit të buxhetit dhe atë të menaxhimit të borxhit. Së pari, parashikimi i të ardhurave duhet të jetë më realist. Marrja si bazë e parashikimeve të bëra nga aktorët e jashtëm është një nga sugjerimet e stafit, pasi këto parashikime lënë më pak vend për surpriza”, thuhet në raportin e FMN-së. Një hartim realist i buxhetit nga ana e Fondit shihet si një mënyrë që qeveria të mos ndërhyjë në buxhet gjatë vitit.
Borxhi
Fondi Monetar Ndërkombëtar, edhe njëherë në raportin e fundit për Shqipërinë, thekson se është e nevojshme që borxhi publik të vendoset nën kontroll. Zbatimi i një rregulli fiskal është mënyra më e mirë, sipas FMN-së, për ta ulur këtë borxh dhe për të pasur një qëndrueshmëri ekonomike më të madhe ndaj efekteve të faktorëve të jashtëm. Në këtë kuadër, qeverisë i propozohet të ndërmarrë masa të rëndësishme fiskale. “Ka pasur një marrëveshje që parashikonte masa të mëtejshme fiskale, të cilat duhet të ishin efektive dhe me një natyrë më të zgjatur në kohë dhe fillimisht sugjerimi ishte te shpenzimet, të cilat janë rritur në mënyrë të shpejtë. Qeveria këtë vit nënvizoi se do të bënte një rritje të pagave dhe pensioneve, kurse FMN-ja sugjeroi që ato vetëm të indeksohen”, thuhet në raport. Të njëjtin qëndrim FMN vazhdon ta mbajë edhe tani, duke theksuar se duhen indeksuar pensionet e atyre që janë më në nevojë.
Reformë në pensione
Raporti vëren se deficiti që krijon skema e sigurimeve në vend është një problem që duhet të zgjidhet dhe në këtë kuadër propozohet reformë në skemën e pensioneve. Një pjesë e mirë e deficitit që krijohet në këtë skemë që Banka Botërore e ka quajtur të falimentuar e plotëson buxheti i shtetit. “Reforma në pensione është një prioritet, sidomos sa i përket imbalancave në sistemin e pagesave që bëhen dhe atyre që dalin. Uljet në masën e kontributeve që u bënë në 2006-2009 duhet të rishikohen në mënyrë që të forcohet sistemi i sigurimeve shoqërore”, propozon FMN.
Raporti i FMN-së
. Shqipëria nuk u ndikua shumë nga kriza ekonomike.
. Masat janë vënë përballë sfidave të ambientit postkrizë.
. Politika ka qenë në ngërç.
. Investimet e huaja direkte ndoqën trendin rajonal duke shënuar ulje.
. Inflacioni ka qëndruar në kufirin e sipërm të objektivit 3(+-1).
. Sistemi bankar ka qenë i qëndrueshëm, por ulja e cilësisë së aseteve është shqetësuese.
. Buxheti fiskal ka mbetur i lartë duke rritur risqet afatmesme dhe duke kufizuar fleksibilitetin buxhetor.
. Në të ardhmen parashikohet rritje e moderuar e ekonomisë me disa përmirësime sa i përket qëndrueshmërisë së jashtme, por subjekt i risqeve të konsiderueshme.
. Qëndrueshmëria e jashtme kërkon buxhete pa risqe, siç mund të jenë deficitet e larta.
. Me financimin e tregut, që po bëhet gjithmonë e më i rëndësishëm, borxhi i pakontrolluar do të përbëjë më shumë rrezik për qëndrueshmërinë makroekonomike.
. Duhet reformuar në mënyrë urgjente sistemi i pensioneve.
. Ulja e borxhit duhet që t’i nënshtrohet një rregulli të qartë fiskal.
NERTILA MAHO











