Flutura Zhuta: Si i mblodha “Gratë e lira” në një studio

Oct 23, 2011 | 14:00
Ideatorja e emisionit, Flutura Zhuta

I kemi parë të shtunave në mbrëmje të bisedojnë të katërta bashkë. Temat janë të ndryshme po ndonjëherë qeshin edhe jashtë saj, sepse tek e fundit, janë të lira… Elvira Diamanti, Mimoza Ahmeti, Mirela Bogdani e Monika Lubonja, janë bërë bashkë këtë herë në emisionin “Gra të lira”, për të rrëfyer përvojat e tyre, për të treguar copëza të jetës personale, ndërthurur me arritjet profesionale.
Mund të ketë prej jush që ende nuk janë “çmpirë” nga furia e verës së tejzgjatur të këtij viti e të mos ju ketë rënë ndër mend rimbushja e kartës së digitalbit, ama, sido që të jetë, jua ka kapur me siguri syri që andej nga kanali “T” katër femra bukuroshe diçka bëjnë tok. Keni kohë ta mësoni më shumë, emisioni “Gra të lira” është shfaqur vetëm tri herë, përfshi puntatën e mbrëmshme, në këtë sezon të dytë të tij. Me një ndryshim, drejtuesja e atij paneli këtë vit është aktorja Elvira Diamanti. E shihni pra që duhet ta rimbushni kartën?! Po deri në javën e ardhshme, për ata që e kanë humbur, të shohim se ç’thotë rreth tij ideatorja e këtij emisioni, Flutura Zhuta. Bashkë me të, Diamanti na tregon vetë se si është për të kjo përvojë e re, krejt ndryshe nga çiak-ët filmikë, me të cilat është mësuar më parë.
Si ka lindur emisioni “Gra të lira”?
Pas një përvoje 14-vjeçare në radio, ku kam realizuar regjinë e disa emisioneve radiofonike, ndër të cilët do të përmendja ato që i kam bërë me shumë dashuri si “Poker”, “Biseda mbas darke”, “Studio e hapur” etj. Në 1998-n ideova një emision për radio, që e titullova “Nga dritarja e një gruaje”, ku trajtoja tema tabu të asaj kohe siç ishin gratë e përdhunuara dhe të keqtrajtuara. Për arsye personale ndërpreva karrierën dhe u largova nga Shqipëria, duke e lënë në mes punën pas së cilës isha dashuruar. Në vendin ku emigrova, pashë se media televizive e radiofonike kishte një dimension tjetër dhe femrat ishin pjesë mjaft e konsiderueshme e tyre. Kështu, më lindi ideja që pse jo dhe në Shqipëri femrat të kishin këtë hapësirë siç e kanë ato në televizionet e botës perëndimore. Atë çka unë (pa dëshirë) lashë në mes të rrugës në Radio, mendova që përse të mos e vazhdoj në Televizion, por në sensin e kundërt të saj, atë të lirisë së grave. A thua s’paska pak hapësirë edhe për ne që të flasim me zë të lartë atë çka ne mendojmë.
Kush e ka bërë përzgjedhjen e drejtueseve të emisionit?
Përzgjedhja e Elvira Diamantit, Monika Lubonjës, Mimoza Ahmetit dhe Mirela Bogdanit është bërë po nga unë, meqenëse janë mjaft të njohura tashmë për publikun shqiptar, për shkak të karrierës së tyre profesionale. Duke pasur parasysh se çfarë do përfaqësonte ky emision, bëra përzgjedhjen e këtij paneli, ku secila nga ato përfaqëson karaktere të ndryshme.
Çfarë përfaqëson secila prej tyre?

Stafi i emisionit “Gra të lira”

Të katërta këto figura publike klasifikohen si prezantuese të programit, ku njëra prej tyre është moderatoja e tij. Në sezonin e parë moderatore ishte aktorja Monika Lubonja, ndërsa për sezonin e ri, i cili ka filluar tashmë, është Elvira Diamanti, siç e njihni, aktore mjaft e dashur e ekranit shqiptar. Elvira, Monika, Moza dhe Mirela sjellin para ekranit përvojat e veta, ndajnë me shikuesit atë çka është e tyre, eksperiencën që kanë ato vetë në lidhje me temat që trajtohen në çdo emision. Mendoj që cilado nga gratë që shohin emisionin, do të gjejnë diçka nga vetja e tyre dhe, nëse jo, do të kuptojnë se shumë gjëra nuk janë ndryshe dhe ato nuk janë përjashtimi. Po ta vini re, mosha e kësaj katërsheje është pothuajse e njëjtë dhe kjo nuk është e rastësishme. Ato në këtë emision prezantojnë femrën shqiptare, në të gjitha fazat, si ka qenë fëmijë, adoleshente, vajzë e re e deri tani që janë bërë nëna, gra në karrierë, aktore, publiciste, pedagoge, prezantuese etj. Katërshja në “Gra të lira”, përveç jetës personale, ka dhe përvojë të pasur profesionale ne fushat ku kanë aktivitetin e  përditshëm. Identiteti i tyre në këtë program pa diskutim nuk mund të reduktohet në prezantimin e mësipërm, pasi secila prej tyre është e angazhuar në drejtime të ndryshme të jetës artistike, televizive dhe shoqërisë civile në Shqipëri. Duke qenë se përbëjnë një trupë të vetëm prezantimi, ai panel do të jetë i përhershëm, duke bërë që njëra prej pikave të forta, por edhe delikate të emisionit, të jenë ato vetë.
Nuk mendoni se kanali “T” ku keni zgjedhur ta transmetoni këtë emision mund të kufizojë audiencën?
Absolutisht jo. Si mundet që në një kanal televiziv siç është kanali “T”, ku flitet e kuvendohet vetëm shqip, ku gjithçka që transmetohet aty është shqiptare, të mund të kufizohet audienca?! Madje, ka qenë një arsye më shumë që ne të dëgjohemi aty ku flitet, qeshet e qahet vetëm shqip.
Të mbërrish këtu pas viteve të sëmundjes që keni kaluar, nuk është pak…
Jam në jetë të dytë. Lufta me kancerin ishte e fortë, por jo e pamundur siç e shihni. Të kuruarit jashtë ka qenë pa dyshim shumë i rëndësishëm, por edhe fuqitë dhe përkushtimi për ta mposhtur kanë qenë ndikim. Është shumë e rëndësishme kur je me këtë sëmundje të mos e humbasësh kurrë zemrën, ushqe besimin dhe frika do vdesë nga uria. Ndihem më e frymëzuar se kurrë dhe mendoj se do të arrij atë që kam dëshiruar prej shumë kohësh: një bilanc të punës dhe jetës private – një harmoni.

Elvira Diamanti: Përvoja ndryshe e aktores

Foto: BLAND ASHIKU Gjatë banketit të organizuar për Dhimitër Anagnostit me rastin e dekorimit të tij nga Presidenti Topi, me Urdhërin “Nderi i Kombit”

Për mua natyrisht është një përvojë e re dhe e ndryshme nga ajo që kam bërë deri më sot. Kurrë nuk e kisha parë veten si pjesë e televizionit dhe ndjesia që provoj tani si moderatore në emisionin ‘Gra të lira’, është keqardhja që nuk e kam bërë më parë, dhe kënaqësia se gjithsesi po e bëj, të paktën tani.
Është bukur të punosh në një mjedis krejtësisht femëror, kam parasysh këtu panelin tonë, ideatoren, Fluturën dhe skenaristen, Bieten. Është bukur, sepse të jep mundësi ta shohësh realitetin nga një optikë e njëjtë, pra femërore, por edhe aq të ndryshme në mënyrën se si i sheh gjërat gjithsecila prej nesh. Tërheqësja në këtë emision është se ti hyn në studio dhe nuk mund ta dish kurrë se si do dalësh prej andej. Nuk mund të parashikosh dot se mbrëmja do të jetë me ritëm, do jetë krejtësisht brenda një skenari të përcaktuar më parë, apo përkundrazi zhvillimi i bisedës mes panelisteve, pra mes nesh, do jetë ndoshta edhe jashtë temës kryesore. Për këtë më pëlqen ky emision, për të papriturat që mund të vijnë në studio, së bashku me ndonjë
gaz të papritur”.

ANI JAUPAJ

© Panorama.al

Te lidhura