I duhet të punojë për dy role paralelisht. Atë të Flori Agalliut si drejtuesi i një debati televiziv në programin “E Diell” në “Top Channel”, dhe në rolin e Xhimit, i cili ka qenë idhulli i të gjitha femrave të gjimnazit në shfaqjen “Menaxherja e qelqtë” të Tennese William. Pas emocioneve të hapjes së sezonit ‘E diell”, ku Florian Agalliu u shfaq për herë të parë në pozicionin e moderatorit në rubrikën e parë të programit, ai tregon emocionet e premierës, që do të shfaqet më 3 nëntor në skenën e Teatrit Kombëtar.
Të shohim në sezonin e ri të «E Diell» si moderator me një rubrikë diskutimi. Ndërkohë që paralelisht përgatitesh për një shfaqje teatrale. Çfarë të tërheq më shumë?
Thelbi i aktrimit është komunikimi, kështu që nëse arrin të komunikosh, të përcjellësh diçka qoftë edhe tek një person që të shikon në një karrige teatri apo shtëpie, unë mendoj që misioni u krye. Përderisa unë pretendoj që më pëlqen puna që bëj, atëherë nuk mund ta ndaj dot as njërën, as tjetrën.
Ndërkohë përgatitesh për premirën e shfaqjes “Menaxherja e qelqtë” të Tennese Williams, që pritet të vihet së shpejti në skenën e Teatrit Kombëtar. Ç’mund të thuash më shumë për këtë shfaqje?
“Menaxherja” është një ndër veprat më të mira të Tennese-t, kjo nuk do të thotë që “Macja mbi çatinë e nxehtë”, “Tramvaji me emrin dëshirë”, apo veprat e tjara të tij nuk vlejnë. Përkundrazi, të gjitha veprat e këtij autori janë mjaft të prekshme dhe i kanë qëndruar shumë mirë kohës dhe, meqë po dal te koha, edhe “Menaxherja e qelqtë” i ka qëndruar kohës dhe i përshtatet shumë mirë momentit në të cilin po vihet në Shqipëri. Edhe pse është shkruar duke pasur parasysh krizën e papunësisë që kishte pllakosur Amerikën në atë kohë, mund të qëndrojë shumë mirë në këtë realitet shqiptar. Të gjithë personazhet e kësaj vepre duan të arratisen, dhe secili gjen mënyrën e tij për ta bërë.
Mes cilëve aktorëve luan në këtë shfaqje, dhe çfarë fshihet pas personazhit tënd?
Kasti i aktorëve do thosha që është një ndërthurje brezash, por të së njëjtës shkollë ama. Në këtë shfaqje luan profesor Niko Kanxheri, Sonila Kapidani, Ervin Bejleri, Erjeta Cufaj dhe unë. Për sa i përket ngjarjes, Amanda, nëna e shtëpisë kërkon një adhurues për Lorën, vajzën e saj, por ndërkohë jeton me të shkuarën e saj për kohërat, kur ajo jetonte e lumtur. Tomi, djali i shtëpisë kërkon të largohet nga vendi dhe t’i shpëtojë realitetit ekonomik dhe zymtesisë që ka pllakosur familjen dhe për këtë fakt regjistrohet në marinën tregtare, pa i ardhur keq fare për familjen që lë pas. Lora, një vajzë e brishtë dhe me pak konplekse inferioriteti, braktis shkollën dhe arratiset në botën e koleksionit të saj prej qelqi. Jo më kot bëra këtë prezantim karakteresh, për të mbërritur te karakteri im, Xhimi që është adhuruesi i Lorës dhe nga të vetmet personazhe realistë dhe me këmbë në tokë, që ka kuptuar filozofinë e jetës dhe po pret momentin e tij.
Thua që ka një përputhje të historisë së rrëfyer në vepër me realitetin shqiptar, si vjen kjo?
E gjithe vepra karakterizohet nga elemente jetësore shumë të vërtetë që i ndeshim në realitetin tonë, duke qenë se dhe vetë Tennese ka qenë i ndikuar nga Çehovi, i cili gjithmonë veprat e tij i niste nga faktorë socialë, të cilët ishin prezent për kohën, që bën fjalë vepra dhe shqetësojnë shumë shoqërinë. Tennese ka qenë dhe bashkëpunëtor i ngushtë me Elia Kazan, regjisor i cili bëri të mundur t’i kthente pjesët e tij në gjysmëfilmike dhe të bënin xhiron e botës duke korrur sukses, sidomos kur në tramvajin me emrin dëshirë, me regji të Elia Kazan, u shfaq Marlon Brando, aktor ky që theu të gjitha tabutë e teatrit, dhe u bë shembull për kohët në vazhdim, moment i cili në Amerikë fshiu lojën e pluskuar të aktorëve dhe e ktheu në lojë hiper-realiste. Këtu ndoshta vlen dhe për t’u përmendur shprehja e Elia Kazanit, i cili thotë për Tennesen: në veprat e tij gjen çdo gjë nga jeta e tij dhe në jetën e tij gjen çdo gjë nga veprat e tij.
Është i vështirë roli yt, si do e portretizoje?
Në këtë vepër do thosha që të gjitha personazhet janë shumë të vështira për t’u luajtur, nuk e them këtë sa për të thënë, por në vepër autori vetë i bën biografinë secilit prej personazheve, që do të thotë se duhet t’u përmbahesh me rigorozitet piketave që të jep autori për të ndërtuar figurën e kërkuar në këtë vepër. Për shembull, personazhit tim i vjen shumë e qartë dhe shumë e pasur nga autori dhe konkretisht thotë: Xhimi ka qenë ylli i basketbollit në shkollë, ka qenë idhulli i të gjitha femreve të gjimnazit, bënte pjesë në korin e shkollës, këndonte në mënyrë të shkëlqyer etj. etj. Ndërsa në vepra të autorëve të tjerë, që ndoshta nuk e kanë këtë lloj stili dramaturgjik, aktori duhet të krijojë vetë dhe ta imagjinojë të shkuarën e personazhit për ta sjellë figurën sa më të qartë për të gjithë ata që e shohin…
Pas këtyre detajeve që zbuluat, ti si e ke përjetuar lojën në të?
Këtu nuk mund të jap asnjë mendim, sepse autori vetë e ka thënë shumë qartë. Kjo është një dramë e sentimentit, të cilën unë do e përktheja si “Rrezik”… Të gjitha ngjarjet dhe faktet që ekzistojnë në vepër, janë aq jetësore dhe të ndjeshme, saqë çdo batutë duhet ta thuash me transparencën e një qelqi, dhe sigurisht që kjo ka dhe anën negative, rrezikun e thyerjes….
A mendoni se do të ketë impakt të fortë në publik?
Pse jo?! Në po përpiqemi shumë që të bëjmë një punë të mirë. Të gjithë komponentët që i duhen kësaj shfaqjeje, ekzistojnë. Ndoshta do kishim nevojë për pak fat që të mos bjerë shi (qesh).
KLOTILDA HARKA











