Flori, ora dhe bizhuteri luksoze, arrestohet pronari i argjendarisë! Do i tregtonte, sekuestrohet mall me vlerë 300 mijë euro

Jul 24, 2026 | 16:13

Do hidhte në treg një sasi malli në flori, bizhuteri e ora luksoze, arrestohet 39-vjeçari i dyshuar në Lezhë.

lezhe flori

Policia vendore bëri me dije se i dyshuari i shiste në argjendarinë e tij bizhuteritë e floririt dhe orat e markave luksoze, të cilat dyshohet se ishin të vjedhura jashtë shtetit dhe të kontrabanduara në Shqipëri.

Policia e Lezhës ka finalizuar operacionin e koduar “Final O’clock”, në bashkëpunim me Prokurorinë, pas hetimeve të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare.

Në pranga ka rënë shtetasi me iniciale A. M., 39 vjeç, banues në Lezhë. Sipas policisë, ai siguronte dhe shiste në subjektin e tij sende me vlerë, për të cilat dyshohet se nuk kishte dokumentacion që provonte origjinën e tyre.

Gjatë kontrollit në argjendari, uniformat blu sekuestruan si prova materiale, 133 ora dore të markave luksoze, pa dokumentacion shoqërues; bizhuteri floriri me peshë rreth 3.3 kilogramë, pa faturat përkatëse të blerjes; 270 500 lekë dhe 2 700 euro, që dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari.

Vlera totale e sendeve të sekuestruara llogaritet rreth 300 mijë euro.

Policia bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal, si dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë bashkëpunuar me 39-vjeçarin.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.

© Panorama.al

Te lidhura