Shumë mund të mendojnë se kur u larguan nga vendi i tyre i kthyen shpinën, por e vërteta është se ata, me apo pa dashje, u bënë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë. Jetojnë anë e kënd botës. Janë përpjekur të ndërtojnë jetët e tyre, të bëjnë më të mirën, të jenë të suksesshëm, për veten dhe vendin e tyre. Kësaj here “Albanian Excellence” ndali në Nju Jork, atje ku ka shumë shqiptarë, mes të cilëve edhe të suksesshëm, por ishte një ndalesë e veçantë, u dedikohej zonjave.

gjatë mbrëmjes gala në Nju Jork
Pak ditë më parë në Manhatan u zhvillua një mbrëmje gala për prezantimin e librit “Zonjat shqiptare në Nju Jork” dhe nderimin e 64 zonjave të përfshira në këtë botim. Presidentja e “Albanina Excellence”, gazetarja Flora Nikolla, tregon për këtë ngjarje, e cila u mbyll me nënshkrimin e një memorandumi që bën bashkë gjithë gratë shqiptare kudo që ato jetojnë.
Pas disa aktiviteteve në Shqipëri, “Albanian Excellence” shkon deri në Nju Jork për të “gjurmuar” edhe atje shqiptarë të suksesshëm, por këtë herë bëhej fjalë për zonja. Ç’mund të na thoni në lidhje me këtë nismë?
Së bashku me stafin e “Albanian Excellence” bëmë një udhë të gjatë për të mbërritur në finale e këtij aktiviteti, i kurorëzuar me botimin e librit “Zonjat shqiptare në Nju Jork”, me pjesëmarrjen e 64 zonjave nga të gjitha trojet shqiptare, organizimin e një mbrëmjeje gala, në Manhatan, në sallën “Symphony Space”, një sallë mjaft prestigjioze, ku nuk kishin marrë pjesë më parë kaq shumë shqiptarë, si dhe me nënshkrimin e memorandumit “Të jesh grua në shekullin XXI”. E gjitha ishte një eksperiencë shumë e bukur, e papërsëritshme, shumë e vështirë, por kur mbaron me sukses ashtu sikundër u konsiderua dhe u bë, vërtet që ndihesh mirë.
Hipja në skenë e zonjave të Nju Jorkut, nderimi i tyre me medaljen e “Albanian Excellence”, dokumentimi i jetës së tyre në një libër, ashtu edhe memorandumi, patën jehonën e tyre me të drejtë në qarqet të caktuara në Nju Jork dhe në Tiranë, por edhe në diasporë, edhe nga fakti se kjo është hera e parë që i kushtohet një vëmendje e tillë gruas dhe zonjave të diasporës.
Ndoshta vëmendjen ia shtoi edhe pjesëmarrja e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani…
Projekti i realizuar nën kujdesin e Presidentit të Republikës, z.Bujar Nishani, si simbol i kombit. Pjesëmarrja e tij, si dhe fjala që mbajti gjatë mbrëmjes gala, pati një rëndësi të madhe duke i dhënë të gjithë projektit rëndësinë që meritonte, ashtu sikundër tregoi vëmendjen dhe kujdesin e strukturave më të larta të shtetit, për gruan në diasporë, rolin e saj, ashtu si edhe integrimin e saj, pavarësisht largësisë në jetën sociale, globale. “Albanian Excellence” nderoi me këtë rast Presidentin e Republikës, z.Bujar Nishani, me titullin “Anëtar Nderi” i “Albanian Excellence”.

Në pamundësi për të qenë të pranishëm në këtë mbrëmje, do të duhet të na tregoni dinamikën e saj…
Mbrëmja gala nisi me kalimin në tapetin e kuq, të të gjitha zonjave të nominuara nga bordi i “Albanian Excellence”, mbi bazën e disa kritereve. Është formula e AE, e konkretizuar në aktivitete të tilla të mëdha si “100 Histori suksesi në 100 vjetorin e Pavarësisë, “Berati-Histori suksesi”, “Fieri- Histori suksesi”, “Vlora-Histori suksesi”, si dhe “Histori suksesi 2015”. Në qendër të spektaklit ishin personazhet e librit, pasi qëllimi mbrëmjes ishte promovimi i librit “Zonjat shqiptare në Nju Jork”. Në një video-projektor të madh u shfaqën foto nga jeta e zonjave të nominuara, të cilat shoqëroheshin me një përmbajtje të veprimtarisë së tyre.
Kur ngjiteshin në skenë, vajza të veshura me kostume popullore iu dorëzonin në shenjë të suksesit të tyre medaljen e “Albanian Excellence”. Kënga “Lule Bore”, e kompozitorit të mirënjohur Simon Gjoni, shoqëruar ashtu sikundër gjatë të gjithë mbrëmjes gala nga koncertmaestër, Hermira Gjoni, do të ishte preludi i kësaj mbrëmjeje.
Cilët ishin bashkëpunëtorët tuaj në këtë aktivitet?
Skenografia dhe regjia u realizua nga artisti i njohur në Nju Jork, Andis Gjoni, drejtor i bordit të “Albanian Excellence”. Drejtore artistike e Galasë ishte koncertmaestër, Hermira Gjoni. Programi i aktivitetit ishte ndërtuar me vetë protagonistet e mbrëmjes, zonjat artiste me një karrierë tejet të suksesshme në Nju Jork, si Dëshira Ahmeti Kerliu, soprano, Lindita Lole Mezini, soprano, Ida Tili Trebicka, pianiste, Xheni Rroi, pianiste, Gjijberta Lucaj, violonçeliste, këngëtarja e vogël e talentuar Fiorella Miria. Pjesë e mbrëmjes ishte edhe sfilata e Bora Balajt, e cila prezantoi një grup vajzash me kostume popullore të stilizuara prej saj.
Shumë mirë u pritën në këtë natë prezantuesit e Galasë, aktori i njohur imazhi i “Albanian Excellence”, Ardian Cerga dhe Rejhan Ismani Bexheti, aktore dhe personazh i njohur në media që jeton në Nju Jork, me dëshirën për të qenë një avokate e mirë. Aktiviteti u xhirua nga televizioni “Kultura shqiptare”, drejtuar nga miku i gjithë shqiptareve, z.Adem Belliu.
Ju përmendët firmosjen e një memorandumi. Ku konsiston ai?
Ky memorandum është hartuar nga “Albanian Excellence” me qëllim bashkimin dhe ndërveprimin e aktivitetit të gruas ekselente shqiptare, kudo që jeton, Shqipëri, Maqedoni, Malin e Zi, Kosovë dhe diasporë. Bashkimi i vlerave më të mira të gruas shqiptare, në të gjitha dimensionet e saj, mendojmë se do të jetë një vlerë e shtuar dhe shumë e rëndësishme për zhvillimin e saj në të gjitha fushat, ashtu sikundër edhe një mbështetje e madhe për shtresat në nevojë, të grave si objekt dhunimi, varfërie dhe mosvlerësimi.
Ky memorandum nisi nënshkrimin e tij, më 24 shtator, në Manhatan, në kuadër të aktivitetit “Zonjat shqiptare në Nju Jork”. Nga Nju Jorku, memorandumi “Të jesh grua në shekullin XXI” do të shpërndahet për t’u nënshkruar në Shqipëri, Maqedoni, Malin e Zi, Kosovë dhe në diasporë. Në bazë të mbledhjeve të firmave, ai do t’iu dorëzohet instancave përkatëse për një periudhë gjashtëmujore, për të pasur miratimin dhe institucionalizimin e tyre.
Çfarë e pason nënshkrimin e këtij memorandumi?
Me firmosjen e këtij memorandumi, krijohet grupimi “Albanian Excellence Women”, nën kujdesin e iniciatores, “Albanian Excellence”. Aprovohet organizimi një herë në dy vjet i Kongresit tek “Albanian Excellence Women”. Kjo është hera e parë që ndërmerret një nismë e tillë nga gratë shqiptare me një karrierë suksesi në jetën dhe në punë e tyre. Organizatore e kongresit do të jetë iniciatorja e këtij memorandumi, “Albanian Excellence”.
Kongresi do të prezantojë, shqyrtojë dhe do të propozojë, ndryshime koherente dhe konkrete, do të ndërmarrë iniciativa që kanë lidhje me përmirësimin e jetës së gruas dhe pikave të caktuara që dalin në pah e që kërkojnë zgjidhje përmes peticioneve, platformave dërguar drejtuesve të qeverive përkatëse, ashtu edhe institucioneve botërore.
© Panorama.al











