
“Me këtë vrasje është sfiduar liria, qytetaria e, mbi të gjitha, ligji”
U qëllua me armë zjarri për vdekje sepse njohu vrasësin. Kjo është “teza” familjare për vrasjen e të dashurit të tyre, Rrapo Sinanaj, në argjendarinë e rrugës “Ferid Xhajko”. Të mbledhur në shtëpi për t’i bërë të ndjerit nderimet e fundit, ata nuk dinë të thonë se kush mund të jetë vrasësi, por vetëm hamendësojnë për atë. “Rrapo nuk u vra për shuma të mëdha parash, as për flori. Ai kryesisht merrej me serm, d.m.th. argjend, dhe vetëm ndonjë ngjitje floriri bënte. Vrasësi nuk e ka qëlluar për ato pak lekë apo mall që mund të ishte në dyqan, por sepse kur i ka hequr maskën, Rrapo e ka njohur me siguri”, thekson bashkëshortja e të ndjerit, Burbuqe Sinanaj, vetëm 24 orë pas tragjedisë familjare. Në kaq pak kohë, duket qartë se ende nuk e ka mbledhur veten dhe hera-herës dyshon se gjëma nuk ka ndodhur në shtëpinë e saj. “Nuk po më besohet që Rrapo vdiq. Iku si çdo ditë në punë dhe ishte orari kur prisja që të kthehej. Në vend të tij, më sollën lajmin e zi”, thotë e vajton njëkohësisht Burbuqja, ose, siç e thërrasin shkurt, Buqja. Në shtëpinë private të familjes Sinanaj, që ndodhet në rrugën kryesore “Qemal Stafa”, nuk kuptohet se si arrijnë të qëndrojnë aq shumë persona në një dhomë të vogël, por kuptohet vetëm që i ndjeri ka pasur shumë miq. Si brenda banesës, ashtu dhe jashtë saj, askush nuk është në dijeni të ndonjë konflikti të viktimës Rrapo Sinanaj. “Në jetën tonë nuk kemi pasur mosmarrëveshje, as me fqinjët, as në lagje dhe në asnjë vend tjetër. Kemi jetuar dhe lëvizur të qetë, por tani e di që nuk do të jemi më kështu. Rrapo iku dhe na la përgjithmonë. Shpresoj vetëm që policia të kapë autorin e vrasjes, pasi kështu si Rrapo, edhe ne, do t’i kishim shpirtrat më të qetë”, thotë e veja, ndërsa shton menjëherë: “Është hera e parë që ndodh një vrasje e tillë. Ka pasur grabitje dyqanesh e deri në plagosje, por me këtë vrasje është sfiduar hapur liria, qytetaria e, mbi të gjitha, ligji. Autori duhet ndëshkuar, të bëhet shembull për çdo kriminel. Në të kundërt… i hapet rrugë frikës dhe pasigurisë për jetën”. Bashkëshortja e të ndjerit vijon të tregojë momente të lumtura nga jeta e përbashkët e ndërsa fton edhe dy vajzat e saj për bisedë, gjithçka mbetet në mes. Olta, vajza e madhe, dhe Rinelda, e vogla, duan që dhimbjen mos ta nxjerrin përtej asaj dhomëze. Kanë dhjetë vjet diferencë dhe ditëlindja e tyre ndryshon vetëm me një ditë. E para është e martuar, ndërsa e dyta vijon Juridikun. “Ne nuk është se dimë më shumë rreth vrasjes sesa policia. I takon asaj kjo pjesë. Sa për ne, ai ishte një baba i mrekullueshëm dhe do t’ia ndiejmë mungesën gjithë jetën”, thonë vajzat e të ndjerit. E, ndërsa kthehemi të kërkojmë sërish bashkëshorten për të vijuar bisedën, ajo nuk është më. Brenda dhomës janë shtuar vizitat për ngushëllim, ashtu si edhe kujtimet për të dashurin e tyre. Vetëm se fjalët mezi i gjejnë.
Vrasja në argjendari, 47 persona në polici, autori dyshohet narkoman

Tirane – Një numër i konsiderueshëm personash janë shoqëruar në polici në lidhje me tentativën e grabitjes së argjendarisë me pasojë vrasjen e 61-vjeçarit Rrapo Sinanaj, të premten në Tiranë. Sipas burimeve nga Policia e kryeqytetit, efektivat e rendit kanë bërë shoqërime masive pas ngjarjes, duke dërguar në ambientet e izolimit plot 47 persona. Ndonëse i madh, numri i personave të shoqëruar duket një rutinë e punës së hetimit pasi nuk ka prova direkte në lidhje me autorin e ngjarjes së rëndë. “Personat e shoqëruar janë kryesisht kontingjent kriminal për vjedhje, grabitje dhe kryesisht për përdorim droge”, kanë thënë burimet e Policisë së Tiranës. Sipas tyre, shumica e personave të shoqëruar janë lënë të lirë pasi kanë rezultuar të palidhur me ngjarjen. Ndërkohë, policia ka marrë në pyetje dëshmitarë dhe persona të pranishëm në ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së premtes. Sipas dëshmitarëve, kryesisht punonjës pranë argjendarisë ku ndodhi vrasja e shtetasit Rrapo Sinanaj, në përleshje e sipër, autori i vrasjes i ka kërkuar 61-vjeçarit paratë, por në asnjë rast nuk ka përmendur bizhuteritë apo mallrat që shiteshin në dyqan. Nisur nga ky fakt, policia dyshon se autori i krimit mund të jetë një përdorues droge, i cili ka vepruar në kushtet e depresionit të thellë të shkaktuar nga mungesa e lëndës narkotike në organizëm. Sipas burimeve nga Policia, shtetasi Rrapo Sinanaj, nga Vlora, dyshohet se pak vite më parë ka qenë edhe njëherë shënjestër e grabitësve, pasi kur punonte me taksinë e tij është rrahur e grabitur barbarisht në periferi të Tiranës, ku pasi i është marrë makina, është lënë i plagosur në anë të rrugës.
Tiranë: Gjendet i vdekurtaksisti
Një taksist u gjet i vdekur në rrethana të paqarta brenda automjetit të tij mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Burime policore pohuan se Ardian Hodja, 41 vjeç, u gjet i pajetë pranë maternitetit “Koço Gliozheni”. Dyshimet e hetuesve janë se shkaku i vdekjes mund të ketë qenë një atak kardiak, ose asfiksia nga kondicioneri i automjetit. Taksisti 41-vjeçar është gjetur i pajetë në automjetin taksi tip “Ford fokus”, me targa TR 380 C. Automjeti ka qenë i parkuar në afërsi të maternitetit “Koço Gliozheni”, pranë vendit të quajtur Fusha e Dibranëve. Sinjalizimi në polici për taksistin e pajetë ishte bërë nga një qytetar, i cili ka hipur si klient në taksi. Në momentin e mbërritjes së policisë, Hodja është gjetur i ulur në vendin e shoferit me sedijen e shtrirë. Kondicioneri i automjetit ka qenë i ndezur, çka ka shtuar dyshimet se asfiksia mund të jetë shkak i vdekjes së 41-vjeçarit.
Te Rruga e Dibrës: Tentohet grabitja e filialit të postës
Ende pa u zbardhur ngjarja e ndodhur në argjendarinë te rruga “Ferit Xhajko” një tjetër tentativë grabitje ka ndodhur mbrëmë në Rrugën e Dibrës në kryeqytet. Një shtetas i maskuar me një shall dhe i armatosur ka tentuar të kryejë grabitjen e filialit të postës në këtë zonë. Sipas burimeve nga Policia, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:40. Nga dëshmitarët mësohet se personi i armatosur ka hyrë në filialin e postës dhe më pas ka kërcënuar me armë punonjësit që të dorëzonin të gjitha shumat e parave të arkëtuara. Ndërkohë, një nga punonjësit ka arritur të shtypë butonin e alarmit dhe menjëherë autori i ngjarjes është kthyer mbrapsht dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Dëshmitarët kanë thënë se autori i ngjarjes ecte në mënyrë jo të rregullt me hapa që i ngjanin një të dehuri.
ELISABETA ILNICA
© Panorama.al











