Flamurtari-Vllaznia është më shumë se një sfidë 90-minutëshe. Është më shumë se një ndeshje futbolli nga ku secila skuadër pret maksimumin e pikëve. Është më shumë se një përballje ish-ësh, të cilët duan medoemos që të tregojnë se klubi paraardhës ka gabuar që nuk i mbajti në organikë. Është një sfidës mes dy shkollash futbolli, ndër të vetmet që edhe gjatë këtyre viteve nuk kanë reshtur së prodhuari talentë, por është edhe një ndeshje me pak shije hakmarrje po të mendosh se kapitullimi për titull i Flamurtarit të sezonit të kaluar, ndodhi pikërisht në Shkodër, në përballjen ndaj Vllaznisë. Thënë gjithë sa më sipër, pritet që Flamurtari-Vllaznia të jetë po aq e ngarkuar emocionalisht sa të na dhurojë sot një ndeshje të denjë për emrin dhe historinë që mbartin këto dy skuadra. Sakaq, ndeshjet mes Flamurtarit dhe Vllaznisë kanë dhënë gjithnjë lojëra të mira, por fakt është se në katër vitet e fundit, stadiumi i Vlorës ka qenë një tabu për shkodranët. Kështu, nga 7 prillit i 2007-s (kuqeblutë fitonin 2-0 falë golave të Licit dhe Klevis Dalipit), Vllaznia nuk ka shijuar më fitoren ndaj Flamurtarit në transfertë. Ndërsa, sezonin e kaluar janë munduar si në fazën e parë, 2-0, por edhe në Shkodër në fazën e dytë 1-3 (ndeshja e parë e Mirel Josës në krye të ekipit shkodran). Ndërsa takimi i fazës së tretë u kthye në një bumerang, pasi vlonjatët braktisën fushën në minutën e fundit, pas penalltisë fantazmë të dhënë nga Bardhyl Pashaj. Incidenti u mor në shqyrtim nga Komisioni i Disiplinës dhe vlonjatët u dënuan me heqjen e tri pikëve nga renditja, çka i dha automatikisht titullin Skënderbeut. Ndaj, edhe për këtë Flamurtari ka një arsye më shumë për t’u hakmarrë ndaj Vllaznisë sot, paçka se që të dyja skuadrat janë në kushte krejt të tjera, në krahasim me sezonin e kaluar.
Kuqeblutë, drejt Vlorës pa Sinanin
Përveç Dritan Smajlit, një mungesë e konfirmuar për shkak kartonësh, Vllaznia nuk do të ketë as Vioresin Sinanin për ndeshjen e sotme në Vlorë. Sulmuesi nuk është në gjendje të mirë fizike, ndaj edhe trajneri Josa nuk e ka grumbulluar. Kujtojmë që Sinani është një nga dy autorët e golave të barazimit të fundit të Vllaznisë në Vlorë në 2008-n, por gjendja e tij aspak e mirë, e cila u vu re edhe në ndeshjen ndaj Tiranës javën e shkuar (u hodh në fushë si titullar dhe u zëvendësua që në pushim të ndeshjes), e ka detyruar teknikun ta lërë në shtëpi.
Superiore
Java 6
Sot, ora 14:00
Pogradeci-Shkumbini
Kamza-Tomori
Flamurtari-Vllaznia
Nesër
Laçi-Dinamo 13:00
Kastrioti-Apolonia 14:00
Tirana-Bylisi 14:00
Teuta-Skënderbeu 17:00











