Ndryshimi i çmimit të biletave të stadiumit për ndeshjen e së nesërme ndaj Buduçnostit ka vënë në siklet edhe vetë shtypshkronjën. Kjo e fundit ka nisur të stampojë bileta të tjera me çmimet e reja. E gjitha kjo ka ndodhur pas kundërshtimit të tifozërisë vlonjate për çmimet e larta. Sipas tyre, ato ishin shumë të kripura, gjë që i pengonte për të shkuar në stadium. Madje, fansat kuqezinj u bëjnë thirrje drejtuesve që të marrin shembullin e krerëve të Malit të Zi, ku një biletë në tribunën qendrore kushtonte vetëm 5 euro. Dhe, mesa duket, fjala e tyre nuk ra në vesh të shurdhër. Drejtuesit ndryshuan çmimin e biletave, ku vetëm tarifa e tribunës qendrore ka mbetur e njëjtë, 2 mijë lek të reja. Ndërkohë, tribuna përballë do të kushtojë 5 mijë lekë, ndërsa anësorja, 3 mijë lekë. Kështu, ndryshimi i çmimit do të sjellë edhe tifozë të shumtë në shkallët e stadiumit të Flamurtarit, pasi këto çmime janë të përballueshme. Ndërkohë, siç ishte parashikuar, janë mbyllur dje punimet në stadium. Rreth 100 punëtorë kanë nisur të pastrojnë çdo cep të impiantit të stadiumit “Flamurtari”, në mënyrë që gjithçka të jetë gati për ndeshjen e nesërme ndaj malazezëve të Buduçnostit.











