Sipas një raportimi të Financial Times, presidenti amerikan Donald Trump po ushtron presion të ri ndaj Volodymyr Zelensky-t për të pranuar propozimin amerikan të paqes, i cili kërkon që Ukraina të dorëzojë territore në këmbim të garancive të paqarta të sigurisë nga SHBA.
Të dërguarit e Trump-it, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, i kanë dhënë Zelensky-t vetëm “disa ditë” për të dhënë përgjigje, gjatë një bisede telefonike dy-orëshe të shtunën. Një burim për FT tha se Trump shpreson që marrëveshja të finalizohet “para Krishtlindjeve”.
Zelensky u ka thënë liderëve evropianë se i duhet kohë për t’u konsultuar me aleatët, pasi një marrëveshje e nxituar vetëm mes Kievit dhe Uashingtonit mund të përçajë unitetin perëndimor.
Në një intervistë për Politico, kur u pyet nëse i ka vendosur afat Ukrainës, Trump tha se Zelensky “duhet të veprojë dhe të fillojë të pranojë disa gjëra… sepse po humb.”
Ndërkohë, forcat ruse kanë intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës dhe po shënojnë përparime të ngadalta, por me kosto të mëdha, në juglindje. Në Donetsk, rajon që Rusia dhe SHBA po i kërkojnë Ukrainës ta lëshojë si pjesë e marrëveshjes – trupat ruse kanë hyrë thellë në Pokrovsk dhe po kërcënojnë Mirnohrad.
Zyrtarë ukrainas i thanë FT-së se Vladimir Putin ka pretenduar rrejshëm se ka marrë kontroll të plotë të këtyre qyteteve, për t’i treguar Trump-it se Rusia “nuk mund të ndalet”.
Zelensky theksoi të martën në mbrëmje se paqja e vërtetë varet nga gatishmëria e Rusisë për të ndalur luftën:
“Gjithçka varet nga ajo nëse Rusia është gati të marrë hapa realë për t’i dhënë fund gjakderdhjes dhe për të parandaluar rikthimin e luftës,” tha ai.












