Fillon zbatimi i sanksioneve të SHBA-së kundër industrisë serbe të naftës, NIS

Oct 9, 2025 | 11:47

Shtetet e Bashkuara e kanë filluar mëngjesin e së enjtes zbatimin e sanksioneve kundër Industrisë së Naftës së Serbisë, NIS, për shkak se Rusia është pronarja shumicë e kompanisë, raportoi Radio Televizioni i Serbisë.

Screenshot_6

NIS-i tha në një komunikatë lidhur me sanksionet se “prioritetet, si më parë, mbeten furnizimi i rregullt i tregut vendas me produkte nafte, si dhe ruajtja e stabilitetit social të punonjësve”.

“NIS-i ka siguruar furnizime të mjaftueshme me naftë për përpunim në këtë kohë, ndërsa pompat e karburanteve furnizohen rregullisht me të gjitha llojet e produkteve të naftës”, u njoftua.

Kjo kompani paralajmëroi se, në rast se kartelat e huaja për pagesë pushojnë së funksionuari, pagesa në pikat e karburantit do të jetë e mundur me kartela vendase, me para në dorë, si dhe me metodën “IPS show”.
Në lidhje me shitjen me shumicë, kompania deklaron se është e gatshme t’i përmbushë “të gjitha detyrimet kontraktuale ndaj partnerëve të biznesit, duke përfshirë klientët e korporatave dhe klientët e mëdhenj”.

“Kartelat e pagesës së klientëve të korporatave po funksionojnë pa probleme”, shtoi ajo.

NIS-i shtoi se, në bashkëpunim me partnerët, Qeverinë e Serbisë dhe aksionarët, po punon për ta tejkaluar këtë gjendje.

Shtetet e Bashkuara e vendosën NIS-in në listën e sanksioneve më 10 janar për shkak të pjesëmarrjes në pronësi të kompanisë ruse, Gazprom Neft, me qëllim të parandalimit të Rusisë që të përdorë të ardhurat nga sektori energjetik për luftën në Ukrainë.

Zbatimi i sanksioneve ishte shtyrë tetë herë, herën e fundit deri më 8 tetor.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 7 tetor se Beogradi do të diskutonte me Rusinë çështjen e sanksioneve kundër industrisë serbe të naftës.

“Nuk kemi më për çfarë të flasim me amerikanët. Shtetet e Bashkuara e kanë bërë punën e tyre dhe Evropa do të mbështesë sanksionet amerikane”, tha Vuçiq.

Pasojat mund të ndihen edhe në vendet e rajonit ku vepron NIS-i.

NIS-i është e vetmja kompani në Serbi e angazhuar në kërkimin, prodhimin, rafinimin dhe prodhimin e naftës.

Ajo ishte në pronësi të shtetit deri në vitin 2008, kur Serbia shiti 51 për qind të aksioneve të NIS-it te Gazprom Neft për 400 milionë euro.

Tri vjet pas fillimit të pushtimit të Ukrainës, Serbia mbetet e varur nga Rusia në aspektin e energjisë.

Kjo varësi ishte një nga argumentet kryesore që autoritetet në Beograd të mos zbatonin sanksionet perëndimore kundër Rusisë për pushtimin e Ukrainës, pavarësisht thirrjeve dhe paralajmërimeve nga Brukseli dhe Uashingtoni./rel/

© Panorama.al

Te lidhura