Fier, pezullohet kreu i Qarkut: Shkelje ligjore

Oct 6, 2011 | 11:54

FIER- Prefekti i Fierit, Bujar Hasaj, i kërkoi dje të largohej nga zyra kreut të sapozgjedhur të Këshillit të Qarkut, Vangjel Ndreko. Me një vendim në dorë të Gjykatës së Fierit, e cila mbante datën 29 shtator 2011, Hasaj i bëri të ditur kryetarit të Qarkut se zgjedhja e tij në këtë post ishte e paligjshme. Çdo akt administrativ, që ka të bëjë me konstituimin, duhet të pezullohet deri në zgjidhjen përfundimtare të padisë që është në objekt gjykimi”, thuhet në vendimin e gjykatës. Mësohet se padija është ngritur nga prefektura. Dje, prefekti Hasaj ka shkuar me vendimin në dorë në zyrën e Ndrekos, duke i komunikuar atij pavlefshmërinë e procedurës së zgjedhjes. “Komisioni i verifikimit të mandateve ka marrë atribute që nuk ia ngarkon ligji. Ky komision u ka marrë të drejtën këshillave komunalë dhe bashkiakë, duke pranuar aty këshilltarë të pamandatuar, si dhe ka marrë atributet e prokurorisë dhe gjykatës, për sa i përket mbledhjes së Këshillit të Bashkisë Fier. Duke parë këto shkelje, ne si institucion ia çuam çështjen gjykatës. Unë kërkoj rikonstituimin e Këshillit të Qarkut dhe gjithçka të bëhet konform ligjeve”, u shpreh prefekti para se të futej në zyrën e kreut të Qarkut. Nga ana e tij, kryetari Vangjel Ndreko u shpreh se është njohur me vendimin e gjykatës për pezullimin e disa akteve administrative të marra gjatë konstituimit të Këshillit, por sipas tij nuk ka asnjë vendim që i thotë se nuk është më kryetar i Këshillit të Qarkut. Ai theksoi se çështjen do ta apelonte. “Asnjë vendim gjykate nuk më ka shkarkuar apo hequr të drejtën e drejtimit të Këshillit të Qarkut. Unë i njoh ligjet. I vetmi që mund të më shkarkojë është Këshilli i Qarkut, pra anëtarët e tij. Kam këtu një vendim të gjykatës së Fierit, e cila kërkon një pezullim deri në zbardhjen e së vërtetës, por jo që të më heqë këtë të drejtë që e mora nga votat e 54 këshilltarëve, nga 96 që janë gjithsej”, tha Ndreko. Ndërkohë, forca të shumta të policisë krijuan tension në korridoret e këtij institucioni. “Nuk e kuptoj pse erdhi prefekti i shoqëruar me gjithë këto uniforma. Ju lutem të largoheni dhe ta lini administratën të punojë”, tha ai. Sipas ligjit, vendimet e marra nga Këshilli duhet të zbardhen dhe miratohen në prefekturë. Pas vendimit të gjykatës për pezullim, kryetari i ri i Qarkut nuk ka të drejtë vendimmarrjeje. Ndërkohë, administrata ende nuk është paguar për muajin shtator. Pas vendimit të gjykatës për pezullimin e akteve administrative të vendimeve nr 3, 4 dhe 5 të datës 21 shtator për konstituimin e Këshillit të Qarkut, Dega e Thesarit nuk ka pranuar njohjen e firmës së kreut të Qarkut.   m.r

© Panorama.al

Te lidhura