FIER- Bie tavani në orën e katërt të mësimit, panik dhe dëmtime të lehta te nxënësit. Ngjarja ndodhi në qendër të qytetit të Fierit dje rreth orës 12:00, në një shkollë të mesme jopublike. Nxënësit e klasës së 11-të A bënë të ditur dje lajmin, teksa të trembur pohuan faktin e shkëputjes së një cope të tavanit në klasën me 27 nxënës. “Më shumë u tmerruam dhe përjetuam panik, nuk pati lëndime të rënda. Kur u shkëput masa e tavanit ne dolëm me shpejtësi jashtë, pasi brenda u bë shumë tym. Dy vajza u gërvishtën pak në dorë”, u shprehën dje disa nxënës të shkollës private, godina e së cilës ndodhet në mes të qytetit. Shkolla në fjalë njihet si një nga shkollat jopublike më të vjetra në qytet dhe me një cilësi të lartë në mësimdhënie. Por gjithsesi, sipas burimeve të brendshme të shkollës, mësohet se ka qenë lagështira e tavanit ajo që ka sjellë shkëputjen e një mase suvaje. Kjo pasi godina është e ndërtuar herët në kohë. Pas kësaj ngjarjeje, mësimi ka vijuar normalisht në klasat e tjera të shkollës. m.r











