Fetel, dopiokampioni më i ri në botë

Oct 10, 2011 | 11:54

Sebastian Fetel është konfirmuar “mbreti” i Formula 1. Gjermani i Red Bull-it fitoi titullin e dytë radhazi falë vendit të tretë të fituar në Suzuka. U kurorëzua kështu me sukses puna e skuadrës austriake dhe e pilotit gjerman, të cilët dominuan sezonin nga fillimi. Rivalët e tij nuk kanë mundur të bëjnë asgjë duke u detyruar t’i japin lamtumirën trofeut. 24-vjeçari Fetel thyen rekordin e Fernando Alonsos dhe hyn në historinë e Formula 1 si piloti më i ri në moshë që fiton dy tituj kampion bote. Çmimi i Madh i Japonisë u fitua nga Xhenson Buton me Meklaren ndërsa në vendin e dytë u rendit ferraristi Fernando Alonso. Fetel u nis nga pole-position për herë të 12-të këtë sezon, duke treguar se fitimi i titullit ka qenë më se i merituar. Pas përfundimit të garës, një Fetel tepër i emocionuar falënderoi të gjithë nëpërmjet radios. “Ju faleminderit të gjithëve, nuk ishte asgjë e garantuar, por ia dolëm”, tha ai. Gjermani ka arritur kuotën e 324 pikëve, kundrejt 210 të Baton dhe 202 të Alonsos, ndërsa është ngjitur në podium 14 herë nga 15 gara. Sakaq, ngacmimet mes Ljuis Hamilton dhe Felipe Masës vazhduan edhe në Suzuka. Anglezi ka prekur sërish makinën e brazilianit të Ferrarit, por për fat të mirë asnjëri prej tyre nuk pësoi dëme të mëdha, duke arritur të mbyllin garën: Hamilton në vendin e pestë, ndërsa Masa në të shtatin. Kampioni i ri tashmë është shpallur, ndërkohë që në katër garat e mbetura, Buton, Alonso, Veber dhe Hamliton do të luftojnë për vendin e dytë. Sakaq, Red Bull ka fituar edhe kampionatin si skuteri, duke lënë pas MekLaren dhe Ferrarin.

© Panorama.al

Te lidhura