Rikthehet pas shumë vitesh Alibali
Pesëdhjetëvjetori i Festivalit të Këngës në RTSH do të mund të konsiderohet si gara e këngëtarëve meshkuj të karrierës. Ndërkohë që në të njëjtën kohë rikthen edhe një herë në skenë brezin e “vjetër” të kompozitorëve shqiptarë. Lejla Agolli, Shpëtim Kushta, Flamur Shehu, Ilir Dangëllia, Luan Zhegu etj., janë disa nga emrat e krijuesve që do të ngjisin këngët e tyre në skenën e festivalit të dhjetorit. Në konferencën për shtyp që u zhvillua në ambientet e Radio-Televizionit Publik Shqiptar të enjten, u bë i njohur gjithë stafi organizator i këtij aktiviteti, që këtë vit mbush plot 50 vjeç, si dhe këngëtarët e krijuesit që do të garojnë. Fundviti do të ofrojë katër net festivali dhe 28 këngë pjesëmarrëse, të cilat konkurrojnë për çmimin e parë, që do të na përfaqësojë në pranverën e vitit të ardhshëm, në Festivalin Europian. Sipas drejtorit të Festivalit, Martin Leka, ky edicion do të zhvillohet 100 për qind live. Edhe herët e tjera është premtuar diçka e tillë, pa arritur të realizohet, megjithatë Leka siguron se jo vetëm këngëtarët do të këndojnë live, por edhe orkestra e RTSH-së e një bandë orkestrale që do të drejtohet nga udhëheqësi artistik i edicionit të sivjetshëm, Shpëtim Saraçi. Mësohet se festivali është konceptuar në 4 net. Sa u takon këngëtarëve, ata i përkasin të gjitha brezave e eksperiencave. Kështu, krahas Bashkim Alibalit e Frederik Ndocit, do të këndojë edhe Mariza Ikonomi e Rona Nishliu, Bojken Lako, Elton Deda, deri tek më të rinjtë, si: Sindi Berisha e Toni Mehmetaj. Nga emrat e krijuesve e këngëtarëve, kuptohet se festivalit nuk do t’i mungojë larmia, që nga baladat pop e rrok, tek R&B etj. Gjatë dy netëve të para do të prezantohen të gjitha këngët pjesëmarrëse, nata e tretë do të jetë një gala e këngës së lehtë, ku sipas Martin Lekës do të vijnë për publikun 26 krijime, të cilat kanë fituar çmime të para në vite. Një pjesë e tyre do të interpretohen nga të njëjtët këngëtarë që i kanë interpretuar dikur, ndërsa të tjera nga këngëtarë të rinj. Këngët do të vijnë të riorkestruara. Ndërsa nata e katërt është ajo që do të nxjerrë edhe fituesin. Tanimë puna kanë nisur.
Këngëtarët
Altin Goci
Bashkim Alibali
Bojken Lako
Claudio la Regina
Dr. Flori
Elhaida Dani
Elton Deda
Endri dhe Stefi Prifti
Entela Zhula
Evans Rama
Frederik Ndoci
Goldi Halili
Gerta Mahmutaj
Herciana Matmuja
Iris Hoxha
Kamela Islamaj
Kujtim Prodani
Mariza Ikonomi
Marjeta Billo
Marsida Saraçi
Orinda Huta
Rona Nishliu
Rudina Delia
Saimir Braho
Samanta Karavello
Sindi Berisha
Toni Mehmetaj
Xhensila Myrtezaj
Gazetare: ALMA MILE
© Panorama.al











