Nuk i mjafton vetëm që Mançesteri i tij të fitojë, por i intereson edhe mënyra se si e arrin atë. Aleks Ferguson tha se do të ishte i kënaqur edhe sikur skuadra e tij të mos fitonte me goleadë, ashtu siç ka bërë në disa raste gjatë 7 javëve të para të Premier Ligës. 19 herë kampionët e Anglisë kanë shënuar 24 gola në kampionat, deri tani dhe kanë pësuar vetëm 5. Pavarësisht se janë në krye të renditjes vetëm falë golavarazhit më të mirë se rivalët e Sitit, tekniku skocez kërkon paraqitje më të mira të mbrojtjes së tij. Ai është më shumë i shqetësuar që mbrojtësit e rinj si Fill Xhons të fitojnë përvojë, sesa Runi dhe Uelbek të shpërthejnë në sulm. “Unë do të isha shumë herë më i kënaqur që ne t’i fitonim ndeshjet edhe 1-0, vetëm që skuadra të mos pësonte gol”, tha 69-vjeçari për “The Sunday Express”. “Këtë sezon po luajmë më hapur se në të shkuarën, si në kampionat ashtu edhe në Champions. Ky Mançester është i frikshëm në sulm dhe për momentin mendon më shumë se si të shënojë, por duhet të mendojmë më shumë për repartin e prapavijës, sepse kurrë më parë nuk kemi pësuar kaq shpesh. Mbrojtësit me të cilët po luajmë këtë sezon janë ende të rinj dhe pa përvojë. Pavarësisht se ata e kanë zëvendësuar në mënyrë perfekte dyshen Vidiç-Ferdinand, ata duhet ende të fitojnë eksperiencën e duhur për të përballuar presionin”, përfundoi trajneri, i cili qëndron ulur në stolin e “Old Trafford” prej 25 vitesh.
Çelsi/ Kalu del në ankand
Do të jetë një betejë gjigantësh në merkaton e janarit për të siguruar shërbimet e sulmuesit të Çelsit, Salomon Kalu. Vilas Boas ka vendosur ta shesë sulmuesin 26-vjeçar që në merkaton e janarit, për faktin se ai është në vitin e fundit të kontratës në “Stamford Bridge”. Futbollisti nga Bregu i Fildishtë nuk është në planet e trajnerit portugez dhe nuk ka të ngjarë që bosi Abramoviç t’i ofrojë rinovimin e kontratës. Trajneri i Arsenalit, Venger, është një admirues i lojtarit dhe pritet të bëjë një ofertë deri në 7 mln euro për kartonin e tij.











