
Këtë vit në shërbim të fëmijëve që vuajnë fenomenin e gjakmarrjes, krahas mësimeve në shtëpi, fëmijët e ngujuar do të kenë edhe psikolog. Ky pohim vjen nga Atrida Ferketi, drejtoresha e Arsimit në Shkodër. Në një intervistë për “Panoramën”, Ferketi sqaron detaje të programit “Shansi i dytë”.
Do të vazhdojë sërish projekti “Shansi i dytë”?
Sigurisht që edhe këtë vit do të vazhdojë projekti. Kemi mbështetjen e plotë të Ministrisë së Arsimit. Për ne ka një rëndësi të veçantë zbatimi i tij, pasi kemi të bëjmë me kushte të veçanta dhe me fëmijë që kërkojnë trajtim ndryshe. Ky shërbim është për fëmijët që janë të përfshirë në arsimin bazë, pra nëntëvjeçarë.
Çfarë ndryshimesh do të ketë ky projekt sivjet?
Në vija të përgjithshme do të ndjekim të njëjtën metodë pune, pasi kemi parë se praktika e ndjekur deri tani na ka dhënë rezultat. Ndryshimi për mirë është se këtë vit, krahas zhvillimit të mësimit në kushtet e shtëpisë, atyre do të ofrohet edhe shërbimi i psikologut. E kemi parë të nevojshme që për fëmijët e përfshirë në këtë projekt duhet të ketë shërbimin e psikologut. Që një vit më parë kemi nisur të hartojmë projektin për të vënë këtë shërbim, kemi biseduar me prindërit dhe kemi rënë dakord.
Sa fëmijë do të jenë pjesë e këtij projekti?
Mendohet se do të jenë 41 fëmijë. Nuk mund të themi një numër të saktë, pasi ende nuk kemi një listë të saktë. Ne u kemi kërkuar të gjitha njësive vendore që të hartojnë listat e fëmijëve të prekur nga ky fenomen. Drejtuesit e njësive vendore: kryetarët e rajoneve, kryepleqtë, kryetarët e komunave njohin nga afër situatën ndaj dhe ne kërkojmë prej tyre një informacion të saktë mbi numrin e fëmijëve që vuajnë gjakmarrjen, vendbanimet e tyre, etj. Po ashtu lista më vete bëjnë edhe drejtoritë e shkollave. Ne kemi bërë një punë paraprake dhe mendojmë se numri i fëmijë është rreth 41.
Si do të organizohet puna këtë vit?
Mësuesit do të shkojnë në shtëpitë e fëmijëve që vuajnë këtë situatë absurde. Kemi përfshirë mësuesit më të mirë, me eksperiencë të gjatë në mësimdhënie në këtë projekt, me qëllim që me këta fëmijë të punohet jo vetëm në fushën e arsimit, por edhe në anën psikologjike. Deri tani jemi të kënaqur për ecurinë dhe shpresojmë që edhe për këtë vit, ndihma ndaj këtyre fëmijëve të vazhdojë. Kemi bërë testime të vazhdueshme dhe kemi parë se përgatitja e tyre mësimore është e kënaqshme, çka tregon se bëhet një punë serioze si nga mësuesit, ashtu dhe nga vetë fëmijët. Dëshira e këtyre fëmijëve për të ndjekur mësimin është një shtysë e madhe për ne që projekti “Shansi i dytë” të vazhdojë sërish me të njëjtin ritëm.
Projekti
Projekti “Shansi i dytë” ka startuar në vitin 2006. Vitin e kaluar janë trajtuar rreth 55 fëmijë nga ky projekt të moshave 6-14 vjeç, të cilët e kanë pasur të pamundur ndjekjen e procesit mësimor nëpër shkolla nga frika e hakmarrjes dhe e gjakmarrjes. Fëmijët në përgjithësi i përkasin zonave rurale, ndërkohë që vetëm një prej tyre ka qenë nga qyteti.
SHKODER/ RITVAN DIBRA











