Fasonistët, Naço: Qeveria, kredi për investitorët

Apr 15, 2011 | 11:15

Sektori i fasonistëve, si sektori që gjeneron më shumë punësim dhe eksporte, do të mbështetet nga politikat e qeverisë si për uljen e taksave, ashtu edhe për mbështetjen me kredi të buta. Këto detaje i bëri dje të ditura ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço gjatë një workshopi të organizuar nga Dhoma e Fasonistëve. Ky aktivitet nën titullin “Zhvillimet potenciale të veshjeve në Shqipëri”, solli në vëmendje situatën e sektorit fason në vend dhe objektivat për t’u kthyer në sektor konkurrent të denjë si për tregjet rajonale, ashtu edhe për ato globale. Gjatë fjalës së tij, ministri u shpreh se një nxitje për të zhvilluar këtë sektor qeveria ja dha vetëm pak ditë më parë duke hequr taksën doganore të importit prej 12.5 për qind për lëndët e para të këtij sektori. Ministri theksoi se kjo nuk do të jetë ndihma e vetme që qeveria do t’i ofrojë fasonistëve, por do të shkohet edhe më tej me financime të leverdishme për të zgjedhuar këtë sektor. “Fondi i kreditimit me interesa të buta për investime në makineri dhe teknologji, fondet e promovimit për eksportuesit të menaxhuara nga AIDA, projektet e ndërmjetësimit të transferimit teknologjik, programet e trajnimit realitete konkrete dhe instrument të gatshëm për t’ju përgjigjur në kohë gamës së kërkesave tuaja për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë që një ekonomi e vogël, si e jona, duhet të ketë një treg global dhe konkurrues”, tha Naço. Ndërkaq, ai përgëzoi investitorët gjermanë që kanë treguar interes për të bashkëpunuar me investitorët shqiptarë të këtij sektori, duke u ofruar si partnerë biznesi dhe falë këtij bashkëpunimi, tashmë prodhimet e fasonit në vendin tonë do të prekin edhe tregun gjerman.

© Panorama.al

Te lidhura