Atifete Jahjaga u zgjodh me një konsensus të përgjegjshëm Presidente e Republikës së Kosovës. Është ky një lajm shumë i mirë, natyrisht për Kosovën në radhë të parë, por edhe për Shqipërinë, pa asnjë dyshim, për rajonin dhe për proceset integruese euroatlantike që aspiron shteti i ri i Kosovës. Kosova prej disa muajsh ndodhej në një situatë politike të pakëndshme, nëse nuk duam të përdorim termin shpesh të padëshiruar “krizë”. Pas dorëheqjes së Presidentit Sejdiu u kalua në zgjedhje parlamentare të parakohshme, u konstituua një kuvend me pak forcë në maxhorancë dhe me opozitë të gjerë e me kontestime që në ditët e para. President, pa pëlqimin e opozitës, u zgjodh Behgjet Pacolli, që qëndroi në detyrë vetëm 35 ditë jo për faj apo përgjegjësi të tij, por për shkelje kushtetuese të kryera nga Kuvendi.
Dhe ai u largua i përgjegjshëm e vullnetplotë për të kapërcyer krizën. Dikush thoshte “krizë politike”, dikush “krizë institucionale”, dikush edhe e quajti një “situatë normale demokratike që do të kapërcehej”. Por përsëri ishin përpara shumë alternativave për të zgjedhur kryetarin e shtetit. Në horizont, jo pa bazë dukej edhe rruga e zgjedhjeve të parakohshme që disa parti e kërkonin apo e vinin edhe si kusht. Askush nga partitë politike nuk jepte garanci për pjesëmarrjen në Kuvend, për krijimin e kuorumit të nevojshëm për zgjedhjen e Presidentit. Prandaj, sido që të quhet, krizë ishte. Dhe, natyrisht, nuk mund të them se çdo gjë është kapërcyer.
Dukej se dikush nuk lëshonte e dikush donte vetëm të përfitojë në planin politik, dhe të gjitha këto, kur në 6-7 muajt e fundit, imazhi i Kosovës te ndërkombëtarët, të paktën është zbehur. U fol e flitet natyrisht dhe sot për probleme me krimin, korrupsionin, deri në nivele politike. Njohjet për shtetin e ri të Kosovës, mbas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare, nuk patën ritmin e nevojshëm. U bë shumë mirë që nisën në nivel teknik bisedimet me Serbinë, por ato u kontestuan nga parti opozitare, e në Kuvend, një rezolutë për këtë çështje u miratua me një mandat parlamentar të cunguar, ndonëse mandat. Po t’i shtojmë kësaj tabloje edhe probleme të tjera të përditshme, dukej se situata mbas largimit të z. Pacolli do të dëmtonte edhe më shumë imazhin e Kosovës, aq të nevojshëm e të domosdoshëm për ta pasur të pastër e autoritar, thjesht për sfidat që vendi ka.
Por, duket se gjërat morën për mirë. Një vullnet politik e, mbi të gjitha, një përgjegjësi politike për fatet e vendit, i zuri vendin ngatërresave e sherreve. LDK, AKR dhe PDK kapërcyen me pjekuri krizën, ta quajmë institucionale. Dhe, pa asnjë dyshim, me vullnetin, këmbënguljen dhe autoritetin e ambasadorit amerikan Dell. Me shumë të drejtë e falënderuan të tria partitë politike në finalen e konsensusit të arritur. Lëshuan të gjithë dhe përfitoi Kosova, demokracia, prosperiteti euroatlantik i vendit. Është shumë kollaj të prishësh, por shumë e vështirë të ndërtosh, dhe të ndërtosh do të thotë të ecësh përpara, të konsolidosh çdo arritje, të shkurtosh rrugën për në BE dhe NATO, të kontribuosh jo vetëm për veten, por edhe për rajonin që ende shfaq sherre të vjetra e “gatishmëri” për inate të reja. Thuhet edhe se Thaçi e bëri kompromisin për të qëndruar në pushtet. Kjo do të shihet.
Prandaj thashë në fillim të këtij artikulli se zgjedhja e Presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga ishte një lajm shumë i mirë, së pari se nuk u thellua kriza e nuk u shkua në zgjedhje të reja, kur sapo janë mbyllur këto të fundit, me zinxhirin e pafund të problemeve që do të krijoheshin.
Por është po kaq lajm shumë i mirë që pikërisht në këtë moment delikat, me konsensus, u gjet zgjidhja për një grua, për znj. Atifete Jahjaga, që është ushtarake, gjenerale e forcave të rendit.
Mund të ishte një burrë, një deputet, një politikan, një akademik – themelore ishte kapërcimi i krizës.
Por edhe zgjedhja e znj. Jahjaga flet shumë. Flet shumë sepse dikush i kthen me besim sytë te një zonjë dhe askush nuk kundërshtoi. Të gjithë e miratuan. (Po a do të ketë kontestime? Pa dyshim! Do të thuhet nga na doli kjo zonjë?! Po ajo nuk është politikane etj., etj.). Dhe këto nuk munguan që dje me deklaratat e paszgjedhjes së Presidentes.
Edhe unë, sinqerisht u gëzova shumë, përpos të tjerave e që thashë më sipër, edhe për faktin se e njoh dhe e kam mike Znj. Atifete.
Kemi qenë bashkë në Qendrën Europiane për Studimet e Sigurisë, “George C. Marshall” dhe kemi folur shumë për Shqipërinë, për Kosovën, për rajonin… Kemi folur për sfidat që kemi si dy vende që vendin e kemi në Bruksel. Ndanim të njëjtat mendime për përgjegjësinë që kanë vendet tona për të ecur me vepra në rrugën demokratike.
Nuk kam ndër mend e nuk kam, në fund të fundit, as të drejtë të bëj CV-në e saj apo të flas për të me epitete lavdëruese. Këtë e bënë përfaqësuesit e popullit të Kosovës në Kuvend. Dhe ne, shqiptarëve, na takon t’i përshëndesim.
Por nuk mund të mos flas për znj. Atifete si një grua të kulturuar, e qetë, autoritare, dinjitoze, me personalitet dhe e aftë për debate në tema nga më të ndryshmet. Një anglishtfolëse e shkëlqyer e me vullnet për t’u shkolluar gjithnjë e më shumë. Është rritur në Kosovë dhe është pasqyrë e ndryshimeve atje. Edhe e ndryshimeve të gruas, e emancipimit.
Unë e kam uruar. Ndërsa Presidentja e re ndien se ka marrë përsipër përgjegjësi të mëdha, ndien se do t’i duhet të përballet me sfida, por ndien se do të mbështetet fuqimisht. Edhe nga natyra është sfidante.
A do t’i kërkojnë në Kosovë, në radhë të parë politikanët, që në fillim të gjitha vlerat e kapacitetet e një Presidenti tek ajo? Edhe do t’i kërkojnë, por koha, mbështetja do të flasin më shumë, do të flasin përditë. Nuk ka modele të gatshme për President, askund! T’i jepet besim e t’i lihet kohës, jo edhe pa krenari si Presidentja e parë në rajon e ndër të paktat në Europë.
Dhe shumë sfida ka përpara, duke filluar me reformën kushtetuese, me luftën kundër krimit e korrupsionit, me bisedimet me Serbinë, me njohjet e reja, me imazhin e Kosovës. Natyrisht, arritjet në këto 3 vjet nuk janë të pakta në rrugën e demokracisë e të forcimit të shtetit ligjor të Kosovës, por po aq janë dhe sfidat.
…Në Kosovë mund të ishte zgjedhur dhe një President apo Presidente tjetër. U zgjodh Atifete Jahjaga dhe atje e njohin shumë mirë, dhe e vlerësuan me barrën e madhe të përgjegjësisë që zgjodhën.
Gjithsesi, edhe unë si shoqe do të thosha pa asnjë rezervë se Atifetja është gruaja e duhur, në vendin e duhur e në kohën e duhur.
Faqebardhë, për të mirën e Kosovës, mikja ime!
© Panorama.al












